Investimet e huaja direkte shënuan një rekord të ri në vitin 2024, duke arritur në afro 1.6 miliardë euro, (saktësisht 1.584 milionë euro), ose rreth 5.8% më shumë sesa viti 2023, apo 86 milionë euro më shumë. Trendi rritës i investimeve të huaja direkte u vu re tre-mujor pas tre-mujori, ndërkohë që referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, tashmë viti 2024 është mbyllur me një tjetër shifër pozitive.
Investimet në pasuri të paluajtshme kanë ndikuar në një rritje të fortë të investimeve të huaja direkte, sidomos në vitet e fundit. Kjo edhe referuar vrojtimeve të realizuara nga Banka e Shqipërisë, ku si në vitin 2023, ashtu edhe në vitin 2024, gjithnjë e më shumë shtetas jorezidentë po investojnë në Shqipëri përmes blerjes së pronave. Agjentët imobiliarë vlerësojnë se këto investime bëhen edhe për shkakun se megjithë rritjen e ndjeshme të çmimeve, përsëri pronat në Shqipëri janë më të përballueshme në çmime sesa në vendet evropiane, por edhe në disa vende të rajonit, si psh në Mal të Zi, ku çmimet e pronave në bregdet kanë shkuar në mbi 7-8 mijë euro metri katror.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, ritmi i rritjes së investimeve të huaja direkte ishte edhe më e i lartë, duke arritur në 749 milionë Euro në fund të qershorit, ose 8% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, kjo rritje u ndikua nga flukset e reja të kapitalit dhe riinvestimet e fitimeve nga investitorët ekzistues. Fitimet e riinvestuara kanë luajtur rol të konsiderueshëm në rritjen e stokut të investimeve të huaja direkte dhe ato janë realizuar kryesisht në sektorin imobiliar. /ekofin.al