Një nga projektet më ambicioze industriale dhe logjistike në vend ka marrë dritën jeshile nga Komiteti i Investimeve Strategjike. Bëhet fjalë për projektin “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, i cili është miratuar me statusin “Investim/Investitor strategjik – procedurë e veçantë”, duke hapur rrugën për zhvillimin e një zone të madhe ekonomike në jug të vendit.
Projekti parashikon një investim prej rreth 100 milionë dollarësh dhe krijimin e deri në 10 mijë vendeve të reja pune, duke e pozicionuar si një ndër ndërhyrjet më të mëdha në fushën e industrisë dhe inovacionit në Shqipëri.
Zona do të shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 158.2 hektarësh në Bashkinë e Vlorës, ku do të zhvillohet një ekosistem industrial, logjistik dhe teknologjik. Projekti synon të ndërthurë prodhimin industrial me teknologjitë e avancuara, përfshirë automatizimin dhe inteligjencën artificiale, si dhe aktivitete të përpunimit të lehtë të metaleve dhe energjinë e rinovueshme.
Sipas vendimit, kompania “Rams Albania” do të veprojë si zhvillues i zonës, duke realizuar ndërtimin e infrastrukturës bazë dhe më pas dhënien me qira të hapësirave për biznese të ndryshme që do të operojnë brenda saj.
Statusi strategjik i jep projektit një sërë lehtësish, duke përfshirë procedura të përshpejtuara për leje dhe autorizime, asistencë institucionale dhe mundësinë për vënien në dispozicion të pasurive shtetërore për zhvillimin e projektit.
Në të njëjtën kohë, projekti shoqërohet me disa sfida administrative dhe ligjore, kryesisht lidhur me konsolidimin e pronësisë së tokës dhe përditësimin e të dhënave kadastrale, një proces që duhet të përfundojë nga institucionet përkatëse përpara avancimit të plotë të investimit.
Nga ana tjetër, plani i veprimit parashikon një koordinim të gjerë institucional, ku AIDA do të ketë rolin e monitorimit dhe koordinimit të të gjithë procesit, ndërsa ministritë dhe institucionet e tjera do të angazhohen për të garantuar realizimin e projektit brenda afateve të përshpejtuara.
Ky zhvillim vjen në një moment kur Shqipëria po synon të tërheqë investime të huaja në sektorë me vlerë të shtuar, duke përdorur zonat TEDA si instrument për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të diversifikuar ekonominë. /ekofin.al

