Grupi më i madh bankar në Itali dhe një nga më të mëdhenjtë në Europë, Intesa Sanpaolo Bank do të jetë një nga katër bankat menaxhere për emetimin e Eurobondit të Shqipërisë, parashikuar në 3-mujorin e parë të këtij viti.
Në njoftimin e përzgjedhjes së fituesve si “Menaxherë Bashkëdrejtues” që do të drejtojnë procesin e emetimit të Eurobondit në tregun ndërkombëtar, Ministria e Financave bën me dije se së bashku me Intesa Sanpaolo Bank, përmes Divizionit të saj IMI për Korporatat dhe Investimet, do të jenë edhe tre banka të tjera me peshë të konsiderueshme dhe shumë eksperiencë në tregjet ndërkombëtare, JP Morgan, Deutsche Bank dhe Societe Generale.
Financat informojnë se fituesit u përzgjodhën mbi bazën e eksperiencës së tyre në transaksione të ngjashme, prezencën në tregje dhe kapacitetin për sigurimin e financimit të kërkuar. Gjithashtu, kriter përzgjedhës ishin edhe kostot sa më të ulëta efektive, përfshirë afatin e maturimit, mënyrën e shlyerjes, si edhe komisionet, interesin dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në koston e huamarrjes.
Më herët, Financat kishin përzgjedhur edhe konsuletin ligjor për procesin e emetimit të Eurobondit, ku fituese u shpall kompania ndërkombëtare, me bazë në SHBA, Dechert LLP, me ekspertizë në ligjin anglez dhe ligjin e SHBA-ve për letrat me vlerë.
Bankat menaxhere kanë si detyrë sigurimin e procesit të emetimit në emër të qeverisë shqiptare. Shërbimet për të cilat ato kanë detyrim direkt janë përgatitja e rekomandimeve të transaksionit e cila ka në thelb karakteristikat e emetimit në euro, përgatitjen e afateve të saktë të transaksionit, informacion në kohë reale mbi kushtet e tregut, organizmi dhe pjesëmarrja në procesin e Due Dilligence, rishikimi i prospektit, asistimi në përzgjedhjen e agjentit fiskal, atij të pagesës dhe listimit.
Një shërbim tjetër që zakonisht ofrojnë bankat menaxhere është ai për strategjinë e marketingut, me fokus identifikimin e investitorëve kyçë në transaksion, organizmi i road show-ve, përgatitja dhe prezantimi i materialit që bëhet në road show, vendosja e bondeve tek investitorët, koordinimi dhe shërbimet formale që garantojnë sukses të transaksionit.
Ministria e Financave ka deklaruar zyrtarisht se do të kërkojë të paktën 600 milionë euro, ndërkohë që synohet që të zgjatet afati i maturimit nga 7 në 10 vjet. Synimi i Shqipërisë është që të shkojë në një afat 10 vjeçar, me terma më të favorshme financiarë. Një pjesë e mirë e Eurobondit tw ri do të përdoret për të financuar Eurobondin e emetuar në vitin 2018, i cili maturohet këtë vit, me një vlerë prej 367 milionë Euro.
Kush janë bankat fituese
Një pjesë e mirë e bankave kanë qenë prezente edhe gjatë herëve të tjera kur Shqipëria ka dalë në tregjet ndërkombëtare, duke luajtur rolin e Bashkëdrejtuesve të transaksionit. Një prej tyre është edhe Intesa Sanpaolo Bank, përmes Divizionit të saj IMI. Intesa Sanpaolo Group është një nga grupet kryesore bankare në Europë, e angazhuar për të mbështetur ekonominë në vendet ku operon, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, përmes financimeve të qëndrueshme dhe të përgjegjshme. Gjithashtu, përmes Divizionit të saj IMI për Korporatat dhe Investimet, grupi Intesa Sanpaolo është një partner global për Korporatat, Financat Publike dhe institucionet financiare, duke i asistuar në tregjet financiare ndërkombëtare, në procese të ndryshme.
JP Morgan është një tjetër grup i madh bankar me bazë në SHBA, që së bashku me Deutsche Bank lobuan në tregjet e kapitalit për daljen e parë të Shqipërisë në vitin 2010. JP Morgan është një grup amerikan shërbimesh financiare me qendër në Nju Jork, ndër më të mëdhenjtë e njohur në grupin e Big Four bashkë me Bankën e Amerikës, Citigroup. Societe Generale është po ashtu një grup ndërkombëtar bankar, me qendër në Francë, e pranishme më parë edhe në vendin tonë. Nga katër bankat që do të jenë Menaxherë Bashkëdrejtues të emetimit të Eurobondit, vetëm Intesa Sanpaolo operon edhe në Shqipëri. /ekofin.al
