Intesa Sanpaolo Bank Albania, pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo, ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e Giuseppe Giampietro si Drejtorin e ri të Përgjithshëm Ekzekutiv të Bankës.
Drejtori i sapoemëruar, z. Giuseppe Giampietro, do të pasojë z. Alessandro D’Oria, i cili ka vendosur të dalë në pension pas katër vitesh të njëpasnjëshme në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Intesa Sanpaolo Bank Albania.
Z. Giampietro sjell në këtë pozicion mbi 25 vite përvojë ndërkombëtare brenda Grupit Intesa Sanpaolo, me një histori të gjerë suksesi në drejtimin e organizatave komplekse dhe arritjen e rezultateve të shkëlqyera në fushën e Bankingut Korporativ dhe atij të Investimeve. Karriera e tij përfshin tregje dhe mjedise të ndryshme biznesi, ku ai ka udhëhequr vazhdimisht transformimin, përsosmërinë operacionale dhe fitimet e qëndrueshme.
Gjatë rrugëtimit të tij profesional, z. Giampietro ka mbajtur pozicionet e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv dhe të Drejtorit të Përgjithshëm në disa banka të Grupit. Nën drejtimin e tij, këto institucione financiare kanë arritur rritje të konsiderueshme të portofolit të tyre, forcim të qëndrueshmërisë dhe një reputacion të konsoliduar në treg për inovacionin dhe vëmendjen e shtuar ndaj klientëve.
Emërimi i tij reflekton angazhimin e vazhdueshëm të Intesa Sanpaolo për përkushtim ndaj ekselencës dhe rritjes së qëndrueshme në Shqipëri, duke forcuar rolin e Bankës si partner i besueshëm për bizneset dhe individët që kërkojnë shërbime financiare të nivelit të lartë.
“Pranimi i kësaj sfide të re në Intesa Sanpaolo Bank Albania është një privilegj dhe një përgjegjësi,” – tha Giuseppe Giampietro, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania.
“Qëllimi ynë është të sigurojmë që çdo klient të përjetojë nivelin premium të shërbimit që përcakton Grupin Intesa Sanpaolo, përmes inovacionit dhe duke pasur në fokus shërbimin e klientit. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë mbi themelet e forta të Bankës, duke promovuar rritje, përfshirje dhe ekselencë në çdo gjë që bëjmë.”
Z. Giampietro mban një Master në Ekonomi dhe një MBA në Analizë Financiare.

