Përdorimi i teknologjisë dominon pothuajse të gjitha llojet e aktiviteteve dhe numri i përdoruesve të saj shënon vetëm rritje.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin 2024, bazuar në rezultatet e anketës së “Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në NjEF dhe Individë (TIK)”, në grup-moshën 16-74 vjeç, e përdorin internetin 86,2 % e tyre, nga të cilët 96,4 % e përdorin “disa herë gjatë ditës”.
Kjo përqindje tregon më së miri se shumica e aktiviteteve, komunikimeve familjare dhe të biznesit janë të lidhura ngushtësisht me përdorimin e internetit.
Shifrat tregojnë se 99,9 % e individëve përdorin aparat celularë / telefona inteligjentë (smart) për të hyrë në internet, ndjekur nga: kompjuter/desktop (29,2%), laptop (28,5 %) dhe nëpërmjet tabletit (19,4 %);
Statistika tregon se për shkak të lehtësisë së lidhjes dhe kapërcimit të distancave përfshirë edhe për takime pune, 98,9 % kryejnë thirrje / video thirrje (përmes Skype, Viber, WhatsApp,etj.);
Po kështu, zhvillimet teknologjike, gjithnjë e në përmirësim, në statistika tregojnë se 9 7,1 % e NjEF në Shqipëri kanë akses në internet prej të cilave: 91,5 % kanë akses në internet me rrjet fiks broadband (rrjet optike ose kabllor, ADSL, etj.), ndërsa 99,3 % kanë akses në internet nëpërmjet lidhjes “mobile broadband” (3G/4G, tablet,etj.).
Përdorimi i internetit tashmë është pjesë e pandashme e jetës sonë dhe si pjesë e përmirësimit të vazhdueshëm të këtij shërbimi, pritet që 55% e popullsisë të përfitojë shërbimin 5G brenda vitit 2027.
Më herët këtë muaj, AKEP miratoi autorizimet për operatorët “One Albania” dhe “Vodafone Albania” për ofrimin e këtij shërbimi brenda vitit 2025. /ekofin.al
