Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë ka hedhur në konsultim një projektligj të ri që synon të ulë ndjeshëm kostot dhe të përshpejtojë ndërtimin e rrjeteve të komunikimeve elektronike me kapacitete shumë të larta (VHCN), në përputhje me rregulloren e Bashkimit Europian për “Aktin e Infrastrukturës Gigabit”.
Drafti vendos një kornizë të re për zhvillimin e infrastrukturës digjitale, duke synuar jo vetëm rritjen e investimeve në rrjete gigabit, por edhe shmangien e dublimeve dhe optimizimin e përdorimit të infrastrukturës ekzistuese.
Ligji prek operatorët e komunikimeve elektronike, operatorët e rrjeteve infrastrukturore dhe institucionet publike që zotërojnë apo administrojnë infrastrukturë fizike.
Një nga shtyllat kryesore të projektligjit është detyrimi për të mundësuar akses në infrastrukturën ekzistuese. Operatorët do të duhet të lejojnë përdorimin e elementëve të tyre fizikë, si kanale, tubacione apo shtylla, nga operatorë të tjerë, mbi baza të arsyeshme. Në të njëjtën kohë, drafti kërkon koordinim të detyrueshëm të punimeve civile, duke synuar që ndërhyrjet infrastrukturore të kryhen njëherazi dhe të shmangen hapjet e përsëritura të rrugëve apo territorit.
Projektligji parashikon gjithashtu lehtësim të ndjeshëm të procedurave administrative. Disa kategori punimesh, si ndërhyrjet e vogla apo mirëmbajtja, përjashtohen nga detyrimi për leje ose i nënshtrohen procedurave të thjeshtuara, me qëllim përshpejtimin e investimeve. Në këtë kuadër, krijohet edhe një pikë e vetme informacioni në formën e një sistemi elektronik të centralizuar (GIS), që do të administrohet nga AKEP. Ky sistem do të përmbajë të dhëna mbi vendndodhjen e infrastrukturës ekzistuese dhe projektet e planifikuara, duke u dhënë operatorëve akses më të shpejtë dhe më transparent në informacion.
Afatet kohore bëhen gjithashtu të detyrueshme. Informacioni mbi infrastrukturën duhet të vihet në dispozicion brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës, duke synuar reduktimin e vonesave burokratike. Paralelisht, operatorëve u njihen të drejta për kalimin dhe vendosjen e rrjeteve në prona publike dhe private, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në aspektin e mbikëqyrjes, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) përcaktohet si institucioni kryesor përgjegjës për zbatimin dhe kontrollin e ligjit. Vendimet për gjobat do të kenë statusin e titullit ekzekutiv dhe të ardhurat do të kalojnë në buxhetin e shtetit, ndërsa subjektet kanë të drejtë ankimi brenda 15 ditëve nga vendosja e sanksionit.
Projektligji parashikon një sërë penalitetesh për shkeljet.
Mosrespektimi i detyrimeve bazë për akses në infrastrukturë ndëshkohet me gjoba nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë. Shkeljet që lidhen me moskoordinimin e punimeve civile ose mosdhënien e informacionit sanksionohen me gjoba nga 200 mijë deri në 400 mijë lekë. Ndërkohë, refuzimi i pajustifikuar i aksesit ose pengimi i zhvillimit të rrjeteve mund të ndëshkohet me gjoba më të larta, nga 300 mijë deri në 500 mijë lekë. Në të njëjtin nivel, nga 100 mijë deri në 500 mijë lekë, parashikohen gjoba edhe për shkelje të detyrimeve mbi transparencën, regjistrat dhe kërkesat teknike.
Drafti ndalon shprehimisht pengimin e aksesit në rrjet ose në pikën e aksesit të godinës, duke e konsideruar këtë shkelje të dënueshme. /ekofin.al
