Norma maksimale e interesit për kreditë e vogla deri në 200 mijë lekë, zbriti në afro 71%, sipas përllogaritjeve të fundit të Bankës së Shqipërisë pas ndryshimeve të bëra në rregulloren për kredinë konsumatore.
Në përllogaritjen e mëparshme, atë të muajit korrik 2024, përpara ndryshimeve rregullative Norma Efektive e Interesit (NEI) për këtë kategori kredie ishte rreth 95.2%.
NEI përfshin të gjitha kostot që një kredimarrës paguan për kredinë e marrë (si norma e interesit, komisionet e ndryshme, kosto e mbajtjes së një llogarie nëse është e detyrueshme për të marrë kredinë, primi i sigurimit që paguan kredimarrësi, etj.). Ndërsa, NEI maksimal nënkupton një normë tavan interesi për kreditë konsumatore.
Banka e Shqipërisë llogarit çdo 6 muaj NEI-n maksimal, mbështetur në të dhënat që grumbullon nga Regjistri i Kredive mbi kreditë e disbursuara në gjashtëmujorin paraardhës. Ai llogaritet si mesatarja e tregut për çdo produkt + një marzh prej 33%.
Muajin e kaluar, Banka e Shqipërisë vendosi që vetëm për kategorinë e kredive deri në 200 mijë lekë të mos aplikohet më marzhi shtesë prej 33%, por vetëm mesatarja e thjeshtë, me synim reduktimin e mëtejshëm të kostove të kredive konsumatore.
Ulja e ndjeshme e interesit maksimal për kreditë deri në 200 mijë lekë me ndryshimet e fundit rregullatore të BSH pritet të ketë impakt në ato kompani të mikrofinancës që kanë operuar më shumë në këtë segment, si Iute dhe Kredo.
Ndërkohë në linjat e tjera të kredive, ndryshimet e interesave maksimale janë të vogla, me tendenca rënëse, ndërsa për kartat e kreditit interesat shënuan rritje në përllogaritjen e fundit të Bankës së Shqipërisë.
Për overdraftet me vlerë deri në 200 mijë lekë, NEI shënoi një zbritje të lehtë në 18.54%. Ndërsa për kartën e kreditit, NEI u rrit me 1.03% krahasuar me vitin e kaluar duke arritur në 27.30%.
Për kategorinë 200 mijë-600 mijë lekë, NEI maksimal për kreditë u ul me 0.88% duke arritur në 36.55%, ndërsa për kartat e kreditit rënia ishte vetëm me 0.27% në 18.5% në përllogaritjen e fundit të 14 shkurtit.
Rënie më të ndjeshme shënoi NEI maksimal për kreditë nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë, duke zbritur në 14.67%, ndërsa për segmentin nga 2-10 milionë lekë NEI zbriti në 11.84%. /ekofin.al
