Instituti i Statistikave i bën apel qytetarëve që të bashkëpunojnë me anketuesit në terren për mundësuar mbledhjen e të dhënave të sakta mbi popullsinë dhe banesat në vend.
“Puna e anketuesit në aktivitetin e censit është thelbësore dhe ndikon drejtpërdrejtë në suksesin e mbledhjes së të dhënave statistikore. Do të vlerësonim shumë nëse do të respektoni anketuesit dhe t’i mbështesni që të kryejnë me cilësi punën e tyre”, thuhet në një njoftim për shtyp të INSTAT-it.
Sipas INSTAT-it, roli i anketuesit është i rëndësishëm për të siguruar që të dhënat e censit të jenë sa më të sakta dhe të besueshme.
Këto të dhëna, pasi të grumbullohen, do të përpunohen, analizohen dhe publikohen në formë statistikash zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT).
Dita e hënë, 18 shtator 2023, shënoi nisjen e aktivitetit më të madh statistikor, Censin e Popullsisë dhe Banesave 2023.
Janë rreth 5 mijë anketues të cilët kanë dalë në terren për të grumbulluar informacionin e nevojshëm mbi popullsinë dhe banesat në vend.
Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 do të jetë Censi i 12-të, që kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur në vitin 1912, ku Censi i parë u krye në vitin 1923. Që prej Censit të vitit 1989, metodologjia e tij ka ndjekur gjithnjë e më shumë rekomandimet ndërkombëtare për kryerjen e Censit. Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 synon të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE) për raundin e vitit 2020 të Censeve dhe gjithashtu me rregulloret e fundit të BE-së për zbatimin Censit të Popullsisë dhe Banesave.
Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë në një vend, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë. Në mënyrë të ngjashme, Censi i banesave ofron numërimin zyrtar të të gjitha banesave në vend në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave të banesave.
