Instituti i Statistikave duket se ka “harruar” sërish të publikojë të dhënat për “Rezultatet e Vrojtimit Vjetor të Qumështit dhe Nënprodukteve të tij”. Edhe pse e kishte paralajmëruar vetë se këto të dhëna do të ishin publike në datën 6 korrik, ato ende mungojnë në faqen e INSTAT. Ndryshe nga herët e tjerë, kur ka patur vonesa dhe është vendosur një shënim, këtë herë mungon edhe shënimi për shtyrje të publikimit, edhe pse de fakto ai është me vonesë prej të paktën një javë.
Në kalendarin e publikimeve, INSTAT ka vendosur një shënim, ku specifikon se “Duke kërkuar mirëkuptimin tuaj, ju njoftojmë se publikimet e INSTAT të parashikuara në kalendarin e publikimeve mund të kenë shtyrje, kjo për shkak të ngarkesës që vjen prej angazhimit të institucionit në aktivitetin e Censit të Popullsisë dhe Banesave, 2023.”
Ndërkohë që INSTAT nuk ka publikuar ende këto të dhëna, statistikat për numrin e krerëve dhe gjedhëve sugjerojnë për rënie të prodhimit të qumështit. Në anën tjetër, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar ditën e djeshme disa të dhëna në lidhje me mbështetjen e akorduar për blegtorët për të stimuluar prodhimin e qumështit. Sipas saj, këtë vit kanë aplikuar 8618 blegtorë për subvencione përmes Skemës Kombëtare 2023.
Krahasuar me një vit më parë, numri i aplikantëve është rritur me gati 2470 blegtorë, shifër kjo pothuajse e njëjtë me tre vite më parë.
Qeveria shqiptare po vijon prej disa vitesh me radhë mbështetjen e këtij sektori me subvencione. Referuar statistikave të AZHBR, për vitin 2022 Skema Kombëtare financoi 6211 blegtorë, me një fond prej 1,52 miliardë lekësh, me qëllim rritjen e prodhimit dhe standardeve për këtë sektor bazë të ekonomisë në vend. Vitin e kaluar prodhimi i qumështit në vend arriti në 970 mijë tonë, njofton AZHBR. /ekofin.al
