INSTAT bëri të ditur se, në vitin 2021 ishin 752 subjekte të licencuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit, 32 subjekte më shumë se një vit më parë.
Porti me numrin më të madh të anijeve të licencuara është porti i Durrësit me 37,90% të flotës së përgjithshme.
Porti i Vlorës ka 31,12% të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga porti i Sarandës me 14,76%.
Portet e peshkimit me përqindjet më të vogla të subjekteve të licencuara për peshkim janë ato të Lushnjë-Fier me 2,26% dhe Himarës me 1,73%.
Sipas INSTAT, flota detare shqiptare nisur nga qëllimi i anijes ndahet në gjashtë lloje të ndryshme anije peshkimi. Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica me 69,81% si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike) me 25,80%, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë. Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera.
Politikat e qeverisë po adresojnë mbështetje të veçantë për financimin e investimeve në modernizimin e flotës së peshkimit me qëllim rritjen e rendimit të zënies së peshkut dhe të eksportit të tyre.