Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka bërë bilancin e punës në gjashtëmujorin e parë 2024.
Inspetorati raporton se janë inspektuar gjithsej 4948 subjekte mbi bazë risku, ndërsa 303 inspektime të tjera janë kryer për shkak të ankesave nga punonjësit apo persona të tretë, 33% më shumë krahasuar me 2023. Nga 303 inspektime të kryera si rezultat i ankesave, rreth 74% e ankesave janë zgjidhur në favor të punëmarrësve. Ndërkaq, 8381 biznese të reja janë këshilluar për të drejtat dhe detyrimet nga Legjislacioni i Punës.
Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ka marrë një sërë vendimesh për pezullimin e aktivitetit të 560 bizneseve. Gjithashtu, janë dhënë 847 paralajmërime dhe janë vendosur 90 gjoba për subjektet e inspektuara.
Në gjysmën e parë të vitit 2024, ka pasur një numër më të vogël punonjësish të aksidentuar në punë. Referuar të dhënave nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, këtë vit janë regjistruar 7% më pak aksidente në punë krahasuar me vitin 2023. Nga ana tjetër, sipas inspektoratit në 6 muajt e parë të 2024-ës janë identifikuar 38% më shumë persona që punonin në të zezë se në vitin 2023.
