Gati gjysma e ndërmarrjeve shqiptare me mbi 10 të punësuar kanë investuar në inovacion gjatë periudhës 2022–2024. Të dhënat më të fundit të publikuara nga tregojnë se 44,3% e bizneseve kanë ndërmarrë aktivitete inovative, duke shënuar një rritje krahasuar me nivelin 42,9% të periudhës 2020–2022.
Sipas raportit “Statistikat e Inovacionit në Ndërmarrje 2022–2024”, inovacioni po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e shitjeve dhe punësimit, ndërsa sektori i shërbimeve vijon të mbetet më aktiv se industria.
Aktivitetin më të lartë inovativ e kanë regjistruar ndërmarrjet e informacionit dhe komunikacionit, ku 67,9% e tyre rezultojnë aktive në inovacion. Pas tyre renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 55,1%.
Në sektorin industrial, performanca më e mirë është shënuar në energjinë elektrike, furnizimin me gaz dhe ajrin e kondicionuar, ku 45% e ndërmarrjeve raportojnë aktivitete inovative, ndërsa industria përpunuese arrin në 43,3%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se bizneset e mëdha janë më të prira drejt inovacionit. Rreth 66,4% e ndërmarrjeve me mbi 250 të punësuar kanë zhvilluar aktivitete inovative, ndërsa kjo përqindje zbret në 54,3% për bizneset me 50–249 të punësuar.

Raporti i INSTAT evidenton se ndërmarrjet inovative po fitojnë më shumë peshë në ekonomi. Në vitin 2024, bizneset aktive në inovacion realizuan 62,1% të totalit të shitjeve neto të ndërmarrjeve të vrojtuara, nga 58% në periudhën pararendëse.
Edhe punësimi rezulton në rritje. Të punësuarit në ndërmarrjet inovative përfaqësonin 57,8% të totalit të punësimit në bizneset e vrojtuara, nga 53,5% që ishte më parë.
Një tjetër tregues pozitiv lidhet me bashkëpunimin mes bizneseve dhe institucioneve të tjera. Rreth 32,1% e ndërmarrjeve aktive në inovacion kanë bashkëpunuar me kompani, organizata shkencore apo partnerë të tjerë për realizimin e projekteve inovative. Po ashtu, 30,1% e ndërmarrjeve kanë investuar në makineri, pajisje apo programe teknologjike të reja, të papërdorura më parë nga biznesi.
Mbështetja financiare publike mbetet e ulët
Megjithëse aktiviteti inovativ është në rritje, mbështetja financiare nga shteti vijon të mbetet e kufizuar. Vetëm 5,1% e ndërmarrjeve aktive në inovacion kanë përfituar mbështetje financiare publike gjatë periudhës 2022–2024.
Ndërkohë, vetëm 7,1% e bizneseve kanë përdorur stimuj apo lehtësira fiskale për kërkim-zhvillimin dhe aktivitetet inovative.
Megjithatë, vihet re rritje e interesit për kërkim-zhvillimin. Rreth 18,4% e ndërmarrjeve aktive në inovacion kanë zhvilluar aktivitete kërkimore dhe zhvillimore, krahasuar me 13,2% në vrojtimin e mëparshëm.
Sipas metodologjisë së përdorur nga INSTAT, vrojtimi është realizuar mbi 2.138 ndërmarrje në të gjithë vendin dhe bazohet në standardet e Eurostat dhe Manualin e Oslo-s, duke e bërë të krahasueshëm me statistikat e vendeve të Bashkimit Europian. /ekofin.al
