Administrata tatimore ka evidentuar një nivel të lartë shkeljesh gjatë sezonit turistik 2025, duke theksuar problematikat në fiskalizim dhe informalitet. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren (DVKT), në periudhën qershor–shtator janë kryer 680 verifikime, nga të cilat janë konstatuar 873 shkelje me një vlerë totale prej 69.34 milionë lekësh.
Operacionet kanë rezultuar me masa konkrete në terren, ku janë sekuestruar 84 njësi kompjuterike në 64 subjekte dhe janë bllokuar 8 biznese për moslëshim të faturës në mënyrë të përsëritur, ndërsa është vendosur edhe një pezullim kontrolli. Rajoni Qendror rezulton me peshën më të madhe të shkeljeve, me 539 raste dhe një efektivitet kontrolli prej 142%, i ndjekur nga rajonet e tjera me nivele më të ulëta ndërhyrjeje.
Paralelisht, sektori i trajtimit të ankesave pranë tatimeve ka intensifikuar aktivitetin gjatë vitit 2025, duke administruar 720 denoncime për evazion fiskal dhe shkelje të ndryshme. Një pjesë e këtyre rasteve është referuar për hetim më të thelluar, ku 14 raste abuzive janë kaluar për procedurë në Drejtorinë e Hetimit Tatimor.
Si rezultat i verifikimeve dhe denoncimeve, janë vendosur gjithsej 376 penalitete, me një vlerë totale gjobash prej 18.84 milionë lekësh. Shkeljet më të shpeshta lidhen me moslëshimin e faturave, mosdeklarimin e punonjësve dhe tregtimin e mallrave pa faturë. Konkretisht, 129 penalitete janë dhënë për moslëshim fature, 52 për mosdeklarim punonjësish dhe 47 për mall pa faturë, duke reflektuar vazhdimësinë e problemeve në formalizimin e ekonomisë.
Tatimet theksojnë se roli i ankesave dhe denoncimeve ka qenë kyç në identifikimin e shkeljeve, ndërsa ndërhyrjet në terren synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve dhe forcimin e zbatimit të legjislacionit tatimor, veçanërisht në sektorët më të ekspozuar ndaj informalitetit gjatë sezonit turistik. /ekofin.al


