Inflacioni i matur sipas mënyrës së Eurostat rezulton 2,3% në maj. Edhe pse ka shënuar rënie, përsëri ai mbetet mbi mesataren e vendeve të BE-së.
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) rritja më e madhe e çmimeve prej 8,4 % vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,6 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 3,4 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,1 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Shërbimi arsimor” me 1,8 % secili, “Veshje dhe këpucë” me 1,7 %, “Komunikimi” me 1,5 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,3 %, “Shëndeti” me 1,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,8 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,9.
Në muajin Maj 2025, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,3 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,4 %, pasuar nga grupi “Transporti” me 0,1 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,1 %, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,7 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 %, “Komunikimi” me 0,2 %, “Shëndeti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1 % secili. /ekofin.al


