Inflacioni i harmonizuar në Shqipëri ka vijuar trendin rritës edhe gjatë muajit maj 2026, duke arritur në 3.3%, niveli më i lartë i regjistruar gjatë muajve të fundit dhe i barabartë me mesataren e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), norma vjetore e inflacionit u rrit nga 2.8% në prill në 3.3% në maj.
Treguesi i harmonizuar përdoret nga Eurostat për të krahasuar inflacionin midis vendeve europiane dhe është matësi zyrtar i inflacionit për politikën monetare të Bankës Qendrore Europiane. Sipas grafikëve të publikuar nga INSTAT, Shqipëria renditet pikërisht në nivelin mesatar të BE-së, e cila në maj regjistroi gjithashtu një inflacion prej 3.3%.
Rritja më e fortë e çmimeve në Shqipëri u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 7.3%, e ndjekur nga “Pije alkoolike dhe duhan” me 4.8%, “Transporti” me 4.2% dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4%. Po ashtu, çmimet në restorante dhe shërbime akomodimi u rritën me 3.4%, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike shënuan një rritje prej 3.3%.
Ndikimin më të madh në inflacionin total e kanë dhënë ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat sipas INSTAT kontribuuan me 1.14 pikë përqindjeje në rritjen vjetore të indeksit, të ndjekura nga restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 0.50 pikë përqindjeje dhe grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me 0.46 pikë përqindjeje.
Në krahasim me muajin prill, çmimet u rritën me 0.2% gjatë majit. Rritja mujore u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i shërbimeve të argëtimit, sportit dhe kulturës me 1.8%, sigurimeve dhe shërbimeve financiare me 1%, si dhe shëndetësisë me 0.9%. Nga ana tjetër, u regjistruan ulje të lehta të çmimeve për veshjet dhe këpucët, si dhe për ushqimet dhe pijet joalkoolike./ekofin.al


