Inflacioni në Shqipëri, i matur sipas metodologjisë së harmonizuar që përdoret për krahasimin e vendeve europiane, arriti në 3.4% në korrik 2026, duke e vendosur vendin mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) regjistroi një rritje vjetore prej 3.4%. Në grafikun krahasues të INSTAT, mesatarja e 27 vendeve të Bashkimit Europian paraqitet në nivelin 3.0%, çka do të thotë se inflacioni i harmonizuar në Shqipëri ishte rreth 0.4 pikë përqindjeje më i lartë.
IHÇK është treguesi që mundëson krahasimin e inflacionit të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian, pasi përllogaritet sipas metodologjisë së Eurostat. Ndryshe nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që përbën matësin zyrtar të inflacionit në Shqipëri, indeksi i harmonizuar përdoret pikërisht për monitorimin dhe krahasimin e lëvizjes së çmimeve mes vendeve europiane.
Presionin më të madh mbi inflacionin në korrik vijuan ta japin ushqimet dhe pijet joalkoolike. Çmimet në këtë grup u rritën me 3.2% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar dhe dhanë një kontribut prej 1.09 pikë përqindjeje në inflacionin total.
Rritja më e fortë e çmimeve, megjithatë, u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 8.5% në terma vjetorë, duke kontribuar me 0.55 pikë përqindjeje në inflacion. Në një periudhë që përkon me kulmin e sezonit turistik, çmimet e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit ishin 3.6% më të larta se një vit më parë, me kontribut prej 0.53 pikë përqindjeje.
Një tjetër burim i rëndësishëm presioni ishte transporti. Çmimet e këtij grupi u rritën me 4.6% në terma vjetorë, ndërsa kontributi në inflacionin e përgjithshëm ishte 0.39 pikë përqindjeje. Pijet alkoolike dhe duhani u shtrenjtuan me 4.5%, shërbimi arsimor me 3.3%, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare rezultuan 3.2% më të shtrenjta se në korrik 2025.
Pavarësisht nivelit relativisht të lartë të inflacionit vjetor, në raport me qershorin çmimet shënuan një rënie të lehtë prej 0.1%. Ushqimet dhe pijet joalkoolike u liruan me 0.9% brenda muajit, veshjet dhe këpucët me 1.2%, informacioni dhe komunikimi me 1.3%, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare me 1%.
Në drejtim të kundërt lëvizi transporti, ku çmimet u rritën me 2.5% vetëm brenda një muaji. Edhe grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” regjistroi një rritje mujore prej 1%.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një përshpejtim të inflacionit të harmonizuar gjatë muajve të fundit. Grafiku i INSTAT tregon se norma vjetore, pasi qëndroi kryesisht në intervalin 2–2.6% gjatë pjesës më të madhe të periudhës së mëparshme, është ngjitur mbi 3% në muajt e fundit, duke arritur 3.4% në korrik.
Krahasimi europian e vendos Shqipërinë në grupin e vendeve me inflacion mbi mesataren e BE-së, megjithëse larg niveleve më të larta të regjistruara në disa ekonomi europiane. Sipas grafikut të publikuar nga INSTAT për korrikun, Rumania paraqitet me normën më të lartë, mbi 8%, e ndjekur nga Islanda dhe Irlanda, ndërsa në skajin tjetër Zvicra dhe Suedia regjistrojnë normat më të ulëta.
Nga viti 2026, përllogaritja e indeksit është përafruar më tej me standardet europiane. INSTAT bën të ditur se nga shkurti përdoret klasifikimi ECOICOP 2018, ndërsa periudha referuese e indeksit është ndryshuar në 2025=100. Instituti thekson se ndryshimet janë në përputhje me rregulloret e Bashkimit Europian dhe synojnë harmonizimin e plotë me praktikat statistikore europiane dhe ndërkombëtare.
Në dallim nga inflacioni kombëtar, IHÇK merr në konsideratë të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të Shqipërisë, përfshirë edhe shpenzimet e turistëve të huaj. Kjo veçori merr rëndësi të veçantë gjatë muajve të verës, kur flukset turistike dhe konsumi i të huajve në vend arrijnë nivelet më të larta./ekofin.al

