Inflacioni në Shqipëri ka vijuar trajektoren rritëse gjatë muajit maj, duke arritur në 3%, niveli më i lartë i regjistruar gjatë muajve të fundit dhe mbi objektivin afatmesëm prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, norma vjetore e inflacionit u rrit nga 2.2% që ishte në maj të vitit të kaluar, ndërsa në krahasim me muajin prill çmimet shënuan një ulje të lehtë prej 0.04%.
Të dhënat tregojnë se presionet inflacioniste vijojnë të vijnë kryesisht nga shërbimet dhe kostot e jetesës, ndërsa ushqimet po japin një kontribut më të moderuar krahasuar me periudhat e mëparshme.
Grupi me rritjen më të fortë të çmimeve rezulton “Transporti”, me një rritje vjetore prej 7.8%, duke reflektuar ndikimin e kostove të lëvizjes dhe karburanteve. Pas tij renditen “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4.9%, si dhe grupet “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” dhe “Argëtim, sport dhe kulturë”, të cilat shënuan secila një rritje prej 4.2%.
Megjithatë, ndikimi më i madh në inflacionin total nuk ka ardhur nga transporti, por nga kostot e strehimit dhe energjisë. Sipas INSTAT, grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” kontribuoi me 0.84 pikë përqindje në normën vjetore të inflacionit, ndërsa “Ushqime dhe pije joalkoolike” shtuan 0.76 pikë përqindje. Transporti dha një ndikim prej 0.51 pikë përqindje.
Kjo tregon se, ndonëse rritja e çmimeve të ushqimeve është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me vitet e krizës inflacioniste, ato vijojnë të mbeten ndër faktorët kryesorë që ndikojnë buxhetet familjare, për shkak të peshës së lartë që zënë në shportën e konsumit të shqiptarëve.
Në grupin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, që përfaqëson mbi një të tretën e shpenzimeve të familjeve shqiptare, çmimet u rritën me 2.2% në bazë vjetore. Ndërkohë, çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit u rritën me 3.4%, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 3%.
Nga ana tjetër, veshjet dhe këpucët mbeten i vetmi grup që ka regjistruar ulje të çmimeve në krahasim me një vit më parë, me një rënie prej 0.5%.
Interesant është fakti se në terma mujorë, pra krahasuar me prillin, inflacioni ka qenë praktikisht i qëndrueshëm. Rënia prej 0.04% e indeksit të përgjithshëm është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të ushqimeve, transportit dhe veshjeve, ndërsa shërbimet e argëtimit, shëndetësisë dhe sigurimeve kanë vijuar të shtrenjtohen.
Të dhënat e majit sugjerojnë se ekonomia shqiptare po hyn në një fazë ku presionet inflacioniste po zhvendosen gradualisht nga mallrat drejt shërbimeve. Nëse gjatë viteve 2022-2023 inflacioni drejtohej kryesisht nga energjia dhe ushqimet, aktualisht pesha më e madhe po vjen nga transporti, strehimi dhe shërbimet, një zhvillim që zakonisht konsiderohet më i vështirë për t’u frenuar përmes politikës monetare.
Rritja e inflacionit në 3% vjen në një moment kur Banka e Shqipërisë ka nisur gradualisht lehtësimin e politikës monetare, ndërsa zhvillimet e muajve në vijim do të tregojnë nëse ky nivel përfaqëson një luhatje të përkohshme apo rikthimin e inflacionit në objektivin afatmesëm të bankës qendrore./ekofin.al


