Instituti i Statistikave (INSTAT) ka publikuar raportin më të fundit mbi Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), sipas të cilit norma vjetore e inflacionit në Shqipëri për muajin Prill 2026 arriti në 2.8%, duke shënuar një rritje krahasuar me 2.3% të regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me muajin Mars 2026, çmimet e konsumit u rritën me 0.3%, duke reflektuar një presion të moderuar inflacionist në ekonomi.
Rritja më e fortë vjetore e çmimeve është regjistruar në grupin “Transporti”, me 8.5%, duke konfirmuar ndikimin e kostove të larta të lëvizjes dhe karburanteve në ekonominë familjare. Pas tij renditet grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 4.7%, ndërsa “Sigurime dhe shërbime financiare” u rritën me 4.1%.
Rritje të ndjeshme kanë shënuar gjithashtu grupet “Argëtim, sport dhe kulturë” me 3.7%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” si dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” me nga 2.8% secili.
Ndërkohë, çmimet e “Ushqimeve dhe pijeve joalkoolike”, që zënë peshën më të madhe në shportën e konsumit të familjeve shqiptare, u rritën me 1.3%.
Sipas analizës së INSTAT, ndikimin më të madh në inflacionin vjetor e ka dhënë grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, me +0.93 pikë përqindje, i ndjekur nga “Transporti” me +0.55 pikë përqindje dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0.47 pikë përqindje.
Në aspektin mujor, gjatë Prillit rritja më e madhe e çmimeve u vu re sërish tek “Transporti” me 1%, pasuar nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me 0.9% dhe “Kujdes personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 0.8%. Nga ana tjetër, grupi “Veshje dhe këpucë” regjistroi një ulje prej 0.2%.
INSTAT bën me dije se shporta e re e konsumit përfshin 411 produkte dhe shërbime, ndërsa peshat janë përditësuar mbi bazën e Anketës së Buxhetit të Familjeve 2024. /ekofin.al


