Inflacioni në 19 vendet që ndajnë euron u përshpejtua në 8.1% në maj nga 7.4% në prill, duke mposhtur pritshmëritë për 7.7% ndërsa rritja e çmimeve vazhdoi të zgjerohej, duke treguar se nuk është më vetëm energjia që tërheq shifrën kryesore. Çmimet janë rritur ndjeshëm në të gjithë Europën gjatë vitit të kaluar, fillimisht për problemet e zinxhirit të furnizimit pas pandemisë, më pas për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Inflacioni pa përfshirë çmimet e ushqimeve dhe energjisë, i ndjekur nga afër nga BQE, u përshpejtua në 4.4% nga 3.9% në krahasim me një vit më parë, ndërsa një masë edhe më e ngushtë, që përjashton gjithashtu alkoolin dhe duhanin, u përshpejtua në 3.8% nga viti në vit nga 3.5%. ne prill.
Deri tani Shqipëria i ka rezistuar deri diku presionit të rritjes së çmimeve në Evropë, duke u renditur në vend të shtatë nga fundi, për rritjen. Por, nisur nga fakti që një pjesë e mirë e produkteve janë të importuara nga vendet e BE-së, prirjet për rritje të mëtejshme të çmimeve edhe tek ne janë të pranishme.
Më shumë se gjysma e rritjes së çmimeve në vend vjen për shkak të shtrenjtimit të produkteve që Shqipëria merr nga importi, duke sinjalizuar se rritja e çmimeve të konsumit do të vazhdojë më tej, pasi inflacioni në Eurozonë i kaloi 9%. Bashkimi Europian është partneri kryesore i tregtisë së Shqipërisë. Për 4 mujorin e parë 2022, 53% e totalit të importeve erdhi nga vendet e BE-së, sipas të dhënave të INSTAT.
Sipas Bankës së Shqipërisë, për periudhën janar-shkurt të këtij viti indeksi i çmimeve të huaja të mallrave shënoi një rritje rekord me 25.2%, në zgjerim të mëtejshëm nga niveli prej 15.8% i tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Megjithatë, pozita e fortë të lekut në kursin e këmbimit valutor vazhdon të amortizojë pjesërisht presionet e huaja inflacioniste.