Inflacioni i është rikthyer rritjes në muajin mars, pas disa muajsh i fiksuar në kuotën 1.9%. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni i marsit është 2.1%, me një rritje prej 0.2% krahasuar me muajin paraardhës. Gjithsesi, në mars të vitit të kaluar, ndryshimi ishte më i lartë, në 2.3%
Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka patur grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,04 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,26 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ndikuan me +0,22 pikë përqindje, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,17 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me 0,11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,04 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,03 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,02 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Transporti” me -0,15 pikë përqindje.
Ndërsa, referuar ndryshimeve vjetore, krahasuar me Mars 2024, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 7,4 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,4 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,5 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Veshje dhe këpucë” me 3,0 % secili, si edhe me grupet e tjera më pas.
Inflacioni i matur sipas metodës së Eurostat pritet të jetë më i lartë, siç ka qënë edhe në muajt e mëparshëm. /ekofin.al
