Individët po u drejtohen gjithnjë e më shumë insitucioneve financiare për kreditim në përmbushje të nevojave të tyre madhore apo konsumatore. Për tremujorin e parë të 2025, kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve u raportuan të pandryshuar.
Të dhënat vijnë nga Banka e Shqipërisë, sipas së cilës faktorët në kushtet e kreditimit mbetën të pandryshuar gjithashtu.
Shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rënie në tremujorin e parë të vitit 2025.
Sipas të dhënave, rritja e shkallës së refuzimeve u shkaktua nga politikat e bankave lidhur me kolateralin e kërkuar.
Faktorët e tjerë paraqitën ndryshime minimale në kahun rënës të shkallës së refuzimeve. Historiku i marrëdhënieve me bankën, mungesa e kursimeve, e dokumentacionit, si dhe pozicioni gjeografik i pronës ndikuan negativisht në kreditimin e individëve.
Por pavarësisht këtyre të dhënave, kërkesa për kredi e individëve u raportua më e lartë në tremujorin e parë të vitit 2025, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit.
Kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor.
Po ashtu, niveli i përgjithshëm i normave të interesit, si dhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave, sollën kërkesë më të lartë për kredi në tremujorin e parë të vitit 2025. Faktorët e tjerë patën ndikime minimale. /ekofin.al
