Rritja e importeve të mallrave të akcizës vijoi të udhëhiqej nga karburantet dhe birra edhe në muajin shtator.
Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se për muajin shtator 2024 u importuan 53, 494 tonë karburant, 1059 tonë më shumë se i njëjti muaj i vitit të shkuar. Në total për gjithë periudhën janar – shtator 2024 janë importuar 494,463 tonë karburante. Turizmi ka luajtur padyshim rolin kryesor në këtë tregues, por gjithashtu edhe shtimi i 76 mijë mjeteve të reja në qarkullim gjatë këtij viti.
Ndërkohë produkti i dytë i akcizës që ka njohur rritje, favorizuar edhe nga temperaturat e larta përgjatë verës, por edhe në shtator, mbetet birra me 4,797 litra për muajin shtator, 980 litra më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2023. Ndërsa për gjithë periudhën 9-mujore të vitit 2024 janë importuar 46,972 litra birrë.
Mallrat si cigaret dhe kafeja kanë shënuar rënie të importit në shtator, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Cigare u importuan 246 tonë ose 189 tonë më pak se shtatori i 2023, ndërsa sasia e kafes ishte 712 tonë ose 148 tonë më pak se e njëjta përiudhë e vitit të kaluar.
Sidoqoftë, duke parë trendin e importit të kafesë, e cila është periudhën janar – shtator rezulton të jetë 6322 tonë, pritshmëria është që të arrijë deri në 8 mijë tonë, e cila është edhe sasia mesatare e importuar përgjatë katër viteve të fundit. /ekofin.al
