Në një analizë të statistikave të publikuara nga INSTAT mbi numrin e bizneseve në vitin 2021, edhe pse rezulton të ketë rritje të tyre në total, konstatohet se ka një largim nga vendi të bizneseve të mëdha, kryesisht me kapital të huaj.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 janë larguar 44 kompani, që kishin më shumë se 50 punonjës dhe 97 të tjera që kishin nga 10 deri në 49 punonjës. Të larguarit janë kryesisht në fushën e industrisë, që ishte aktiviteti i vetëm me rënie të numrit të bizneseve të huaja në 2021.
Në të kundërt, janë shtuar 648 subjekte të vogla, që kanë nga 1-4 punonjës dhe 93 biznese me 5 deri në 9 punonjës. Pra, ndonëse numri total i ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta në vend është rritur ndjeshëm, janë të vegjlit ata që kanë bërë diferencën, ndërsa kompanitë e mëdha, që punësojnë më shumë se 50 punonjës janë larguar.
Në përgjithësi, numri i ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta shënoi rritje të shpejtë në vitin 2021, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2021, në vend kishte 6,635 ndërmarrje me kapital të huaj dhe të përbashkët, me një rritje prej 10% në krahasim me vitin e kaluar. 600 ndërmarrje të reja me kapital të huaj ose të përbashkët u hapën në vitin 2021, nga rreth 15 mijë që ishin gjithsej subjektet e shtuara në të njëjtën periudhë.