Analiza e strukturës ekonomike dhe aktivitetit startup në Shqipëri tregon një fokus të qartë drejt disa sektorëve me potencial të lartë specializimi, ku teknologjia po luan rol gjithnjë e më qendror.
Të dhënat nga raporti për start-upet në Shqipëri, evidentojnë se ICT dhe zhvillimi i software-it mbeten sektori udhëheqës, me shfaqje të lartë të klasterëve startup, financim të lartë sidomos në fintech dhe SaaS, si dhe kërkesë të fortë korporative nga BPO-të dhe kompanitë e zhvillimit. Edhe pse pesha e fuqisë punëtore në këtë sektor është ende e ulët, rreth 4–6%, ajo është në rritje dhe mbështetet nga kapacitete universitare mesatare–të larta në informatikë, duke përforcuar avantazhin e Shqipërisë si destinacion nearshoring për tregjet e Europës Perëndimore.
Agri-tech dhe inovacioni në ushqim shfaqen si sektorë me zhvillim mesatar të startup-eve dhe financim kryesisht të mbështetur nga donatorë, ndërsa kërkesa korporative lidhet me përpunimin dhe logjistikën. Megjithatë, bujqësia përfaqëson rreth 20% të ekonomisë dhe punëson afërsisht 33% të fuqisë punëtore në bujqësinë tradicionale, duke krijuar një bazë të fortë për zgjidhje si bujqësia precize, gjurmueshmëria ushqimore dhe optimizimi i eksporteve. Kufizimi kryesor mbetet mbështetja e ulët universitare dhe nevoja për projekte pilot dhe ferma demonstruese për të nxitur adoptimin.
Turizmi dhe teknologjitë e përvojës kanë shfaqje të ulët deri mesatare të startup-eve dhe financim mesatar, me mbështetje të veçantë nga programe si EU4Innovation. Kërkesa për zgjidhje digjitale është e lidhur me platformat e rezervimit dhe menaxhimin e përvojës, ndërsa sektori përfaqëson rreth 12–15% të punësimit total. Pavarësisht mungesës së kapaciteteve të forta universitare, potenciali për digjitalizimin e përvojës turistike dhe menaxhimin e qëndrueshëm mbetet i lartë.
Në mënyrë ndërsektoriale, fintech dhe shërbimet digjitale dalin si katalizatorë, të mbështetur nga financimi i lartë në ICT dhe rritja e adoptimit digjital, por zhvillimi i tyre kërkon kapërcimin e barrierave rregullatore dhe krijimin e mekanizmave si sandbox-et rregullatore.
Në tërësi, të dhënat tregojnë se ICT është motori aktual i ekosistemit, ndërsa Agri-tech dhe turizmi përfaqësojnë potencial të rëndësishëm afatmesëm për rritje dhe diversifikim ekonomik, nëse mbështeten nga politika të synuara dhe lidhje më të forta mes aktorëve të ekosistemit./ekofin.al
