Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) zhvilloi sot forumin me temë “Nxitja e pjesëmarrjes së bizneseve në procedurat e prokurimit të OBP”, një aktivitet që mblodhi përfaqësues të shoqatave të biznesit, sipërmarrës dhe ekspertë të prokurimeve.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, nënvizoi se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të digjitalizimit të proceseve të prokurimit publik, duke garantuar më shumë transparencë, gjurmueshmëri dhe standardizim të procedurave.
Rezultatet tregojnë rritje të numrit të proceseve të menaxhuara nga OBP dhe njëkohësisht ulje të numrit të ankesave, si rezultat i metodologjisë së unifikuar dhe standardizimit të dokumentacionit dhe procedurave.
“Pjesëmarrja sa më e gjerë e bizneseve në prokurimin publik sjell konkurrencë më të fortë, produkte dhe shërbime më cilësore, si dhe kosto më të ulëta për qytetarët”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.
Ajo bëri të ditur se, pas ndryshimeve ligjore të miratuara së fundmi, Operatorit të Blerjeve të Përqendruara do t’i shtohet përgjegjësia për zhvillimin e procedurave të prokurimit në fushën e teknologjisë së informacionit, duke zgjeruar aktivitetin e programit të blerjeve të përqendruara dhe duke garantuar procese të standardizuara dhe më efikase në këtë sektor strategjik.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është ndërtimi i një sistemi të ri prokurimesh, në bashkëpunim me Bankën Botërore, i cili do të përfshijë përdorimin e inteligjencës artificiale në të gjithë ciklin e prokurimit.
“Besoj se Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të përdorë inteligjencën artificiale në të gjitha proceset e prokurimit. Ka vende të cilat e përdorim për një pjesë të procesit, por jo në të gjithë procesin”, deklaroi Ministrja Ibrahimaj.
Sipas saj, sistemi i ri do të rrisë më tej transparencën, do të shkurtojë afatet procedurale dhe do të thjeshtojë proceset për bizneset, duke automatizuar një pjesë të madhe të procedurave dhe duke reduktuar ndërhyrjet manuale.
Ministrja theksoi se prokurimi publik përbën një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve qeveritare dhe përfaqëson një potencial të madh për bizneset shqiptare.
Ajo nënvizoi se ligji “Për prokurimin publik” është në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian, duke krijuar mundësi konkrete që sipërmarrjet shqiptare të përgatiten për pjesëmarrje edhe në procedurat europiane.
Ministrja u bëri thirrje të gjitha bizneseve dhe shoqatave të tyre që të angazhohen aktivisht në procedurat e shpallura nga OBP, si dhe të paraqesin sugjerime dhe rekomandime për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve.
“Kjo është një punë e përbashkët. Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem prokurimi sa më transparent, efikas dhe gjithëpërfshirës, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe përgatitjes së bizneseve shqiptare për tregun europian”, deklaroi Ministrja Ibrahimaj.
Në panelin e diskutimit, me temë “Sfida dhe mundësi për bizneset në prokurimin publik”, përfaqësues të biznesit ndanë shqetësimet dhe propozimet e tyre lidhur me kriteret, procedurat dhe aksesin në tenderë.






