Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Ministerialin Ekonomik të Procesit të Berlinit, të zhvilluar në Cetinje, Mali i Zi, ku ministrat e Ekonomisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me përfaqësues të Komisionit Europian, organizatave rajonale dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, diskutuan hapat e ardhshëm të integrimit ekonomik të rajonit.
Në qendër të takimit ishte zbatimi i Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe afrimi gradual i ekonomive të Ballkanit Perëndimor me tregun europian. Reduktimi i barrierave tregtare, rritja e konkurrueshmërisë dhe krijimi i kushteve më të favorshme për bizneset u evidentuan si prioritete për fazën e ardhshme.
Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj nënvizoi nevojën që bashkëpunimi rajonal të kalojë nga angazhimet dhe marrëveshjet drejt rezultateve konkrete dhe të matshme.
“Prioriteti ynë duhet të jetë i qartë: të kalojmë nga angazhimet te zbatimi dhe nga marrëveshjet te rezultatet e matshme për bizneset dhe qytetarët”, u shpreh Ibrahimaj.
Në këtë kuadër, ministrja prezantoi prioritetet e Drejtimit shqiptar të CEFTA-s, në 20-vjetorin e marrëveshjes, me fokus të veçantë te lehtësimi i tregtisë dhe reduktimi i kostove për sipërmarrjet.
Ndër masat e propozuara janë zgjerimi i Korsive të Gjelbra, harmonizimi i orareve të autoriteteve në pikat kufitare, thjeshtimi i kontrolleve për frutat dhe perimet, njohja e rezultateve të vlerësimit të konformitetit për produktet industriale, si dhe përdorimi më i gjerë i shërbimeve elektronike të besimit.
Sipas Ibrahimajt, suksesi i integrimit rajonal duhet të matet jo vetëm përmes marrëveshjeve të reja, por përmes ndikimit të drejtpërdrejtë që ato kanë në aktivitetin ekonomik.
“Integrimi rajonal nuk duhet të matet me numrin e marrëveshjeve që miratojmë, por me kohën dhe paratë që bizneset kursejnë dhe me mundësitë që krijojmë për to që të rriten”, deklaroi ministrja.
Përtej lehtësimit të tregtisë, Shqipëria e sheh integrimin rajonal si një mekanizëm për krijimin e një hapësire më të integruar për investime, prodhim dhe inovacion.
Në këtë drejtim, një nga prioritetet e Drejtimit shqiptar të CEFTA-s është “Higher Quality Investment & Higher Productivity”, me synim tërheqjen e investimeve që sjellin teknologji dhe aftësi të reja, rrisin produktivitetin dhe krijojnë vende pune me vlerë më të lartë të shtuar.
Një tjetër fokus është krijimi i zinxhirëve rajonalë të vlerës në sektorë ku ekonomitë e rajonit kanë potencial për t’u plotësuar, përfshirë agroushqimin, prodhimin, turizmin dhe shërbimet.
Këto politika synojnë gjithashtu forcimin e lidhjeve të kompanive të Ballkanit Perëndimor me zinxhirët europianë të vlerës, duke e bërë integrimin rajonal një hap ndërmjetës drejt përfshirjes më të thellë në ekonominë europiane.
Në këtë proces, inovacioni, digjitalizimi dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor u identifikuan si faktorë kyç për rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së rajonit.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve lidhej me raportin mes integrimit ekonomik rajonal dhe procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ibrahimaj theksoi se për Shqipërinë, Tregu i Përbashkët Rajonal nuk përbën një alternativë ndaj integrimit europian, por një mekanizëm praktik për përshpejtimin e tij.
“Për Shqipërinë, Tregu i Përbashkët Rajonal nuk është alternativë ndaj integrimit europian. Ai është një instrument praktik për përshpejtimin e tij”, u shpreh ministrja.
Në këtë kontekst, ministrja vuri në dukje rëndësinë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili lidh reformat dhe integrimin ekonomik rajonal me aksesin gradual në fusha të Tregut Unik Europian, përfshirë mallrat dhe shërbimet, lëvizjen e punonjësve, SEPA-n, transportin rrugor, energjinë dhe integrimin digjital.
Ibrahimaj deklaroi se Shqipëria ka performancën më të mirë në rajon për sa i përket zbatimit të Planit të Rritjes.
Duke folur për fazën e ardhshme të bashkëpunimit, ministrja theksoi nevojën për ruajtjen e standardeve të përbashkëta rajonale, duke krijuar njëkohësisht mundësi që vendet që janë gati të avancojnë më shpejt në fusha të caktuara.
“Fleksibiliteti duhet të përshpejtojë integrimin, jo të krijojë fragmentim”, theksoi Ibrahimaj.
Në përmbyllje të takimit, ministrja ftoi homologët e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë në Tiranë, në kuadër të 20-vjetorit të CEFTA-s, për të vijuar diskutimin mbi fazën e ardhshme të integrimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor.
