Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot ekonomia shqiptare po kalon një fazë transformimi nga modeli i bazuar tek puna dhe kapitali, drejt një ekonomie të dijes. Ndërkaq, sipas saj, anëtarësimi në sistemin SEPA do të ulë ndjeshëm kostot për bizneset dhe do të forcojë marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Europian.
“Anëtarësimi në sistemin SEPA përbën një gur themeli në marrëdhëniet tregtare me vendet e Bashkimit Europian, pasi sjell një ulje të ndjeshme të kostove për bizneset”, deklaroi Ibrahimaj në fjalën e saj gjatë panelit me temën “Pozicionimi i Shqipërisë në rrjetin global të tregtisë”, të zhvilluar në kuadër të konferencës 3-ditore të ambasadorëve shqiptarë në Tiranë.
Sipas saj, ekonomia shqiptare ka njohur rritje të qëndrueshme vitet e fundit. “Por sot ndodhemi në një pikë kyçe ku integrimi europian ofron një mundësi të jashtëzakonshme për bizneset tona: aksesin në një treg prej 450 milionë konsumatorësh. Nga ana tjetër, kjo është edhe një sfidë e madhe, për të cilën duhet të përgatisim biznesin shqiptar”, u shpreh ministrja.
Ajo solli në vëmendje zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit, ku eksportet e shërbimeve digjitale, sipas saj, janë rritur nga më pak se 8 milionë euro një dekadë më parë në mbi 210 milionë euro sot, ndërsa numri i kompanive të këtij sektori ka arritur në mbi 4 500, me mbi 15 mijë të punësuar.
“Shqipëria renditet sot ndër 10 vendet e para të Europës për zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ne kemi investuar në edukimin digjital që nga arsimi bazë, kemi krijuar laboratorë teknologjie dhe parqe si “Durana”, ndërsa numri i start-upeve shqiptare ka arritur në 2 mijë, nga të cilat 200 janë mbështetur financiarisht nga qeveria”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, zhvillimi i teknologjisë dhe shërbimeve digjitale i jep bizneseve shqiptare një mundësi reale për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë në tregjet europiane.
“Gjatë viteve në vijim do të punojmë që edhe biznesi të digjitalizohet, me synim rritjen e efikasitetit, produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në tregjet europiane. Kjo do të mundësojë prodhimin me kosto më të ulëta, duke përdorur metoda digjitale të prodhimit. Ky do të jetë një nga fokuset e punës së qeverisë në katërvjeçarin e ardhshëm, pasi besojmë fort se përmes teknologjisë së informacionit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale, biznesi shqiptar do të arrijë standardet e kërkuara nga komuniteti europian dhe do të përfitojë nga tregu i përbashkët europian”, deklaroi Ibrahimaj./ATSH

