Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari morën pjesë në një tryezë konsultimi me shoqata të biznesit për të diskutuar draftin e ri të Kodit Penal që po përgatitet.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se përmes këtij procesi duhet të vendosim pikat mbi “i”, të krijojmë më shumë drejtësi për të gjithë dhe të lemë më pak hapësirë për interpretime. Në vijim të fjalës së saj ajo renditi disa nga çështjet që lidhen me biznesin dhe që parashikohet të adresohen në Kodin e ri Penal.
“Kodi i ri Penal parashikon disa komponentë që lidhen me ambientin e biznesit, parashikon komponentë që lidhen me tatimet, me doganat, me konkurrencën, me abuzimin me pozicionin e monopolit apo marrëveshjeve për unifikimin e çmimeve, me marrëdhëniet e punës, me proceset e falimentit dhe me proceset e parandalimit të pastrimit të parave. Qëllimi është që ne të kemi në radhë të para një përafrim të direktivave të Bashkimit Evropian, por edhe të vendosim pikat mbi “i”, ku Kodi të krijojë më shumë transparencë dhe të lerë më pak hapësirë për interpretim dhe të krijojë më shumë drejtësi për të gjithë ne”, tha Ibrahimaj.
Ndërsa ministri Lamallari tha se synimi final është të kemi një Kod të ri Penal që i mbijeton kohës dhe që adreson të gjitha shqetësimet dhe dinamikat e krijuara në ekonomi e jo vetëm.
“Ne synojmë të jetë një Kod afatgjatë që i mbijeton kohës. Nuk është diçka që hartohet sot për sot dhe pastaj ta rishikojmë pas disa kohësh. Duhet të jetë një Kod që të garantojë mbrojtjen e ekonomisë reale dhe sipërmarrjes së lirë, biznesit dhe investimeve. Kjo bëhet e mundur falë ndërveprimit me ju”, tha Ministri i Drejtësisë.
Tryezat e Konsultimit Publik për Kodin e ri Penal do të vijojnë në javët dhe muajt e ardhshëm me të gjitha grupet e interesit.

