Muajt e parë të vitit 2025 rikonfirmojnë vijimin e trendit të suksesshëm të turizmit, pas një viti shumë të mirë 2024. Referuar shifrave më të fundit të publikuara nga INSTAT, në muajin shkurt 2025, në Shqipëri kanë hyrë 516.058 shtetas të huaj, ose 7.4% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Gjithashtu, vihet re se shumica e të huajve që kanë hyrë në Shqipëri në shkurt kanë qënë nga kontinenti evropian, 96% e të gjithë hyrjeve të shtetasve të huaj. Dhe në veçanti Evropa Jugore zë 83% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 6%.
Në dy muaj e parë të vitit, kanë hyrë 1.076.454 shtetas të huaj, ose 11% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në përgjithësi vihet re një tendecë në rritje e hyrjes së shtetasve të huaj nga të gjitha rajonet, si nga Afrika, Lindja e Mesme, SHBA, Azia dhe Paqësori, etj.
Përveç shtetasve të huaj, edhe shqiptarët kanë hyrë e dalë më të shumtë në numër, si për muajin shkurt, ashtu edhe për dy muajt e parë të vitit 2025. Sipas Instat, gjatë muajit Shkurt 2025, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.059.274 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 7,9 %, krahasuar me Shkurt 2024. 1.066.954 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 6,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në muajin Shkurt 2025, 543.803 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 7,2 %, krahasuar me Shkurt 2024. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shkurt 2025, janë 523.151. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 5,5 %.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Shkurt 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 7,4 % krahasuar me Shkurt 2024. Rritje në muajin Shkurt kanë patur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me 29,6 %. /ekofin.al