Hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare në datën 7 mars 2025 vendimi i qeverisë për ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “TikTok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat deri në 12 muaj.
Qëllimi është shmangia e ndikimeve negative dhe të problematikave sociale në tërësi, kryesisht në nxitjen e dhunës, veçanërisht te fëmijët, që sjellin probleme të zhvillimit psiko-social të tyre, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale, thuhet në vendim.
Ndërprerja e platformës on-line “TikTok” zgjat deri në mundësimin, nga ofruesi i kësaj platforme, të instrumenteve teknike, që rregullojnë aksesin e fëmijëve në këtë platformë dhe në materiale të dëmshme për ta.
Do të jetë Ministria e Arsimit dhe Sportit, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave dhe autoritete të tjera që do të komunikojnë e negociojnë me përfaqësuesit e platformës on-line “TikTok”, dhe me përfaqësues të platformave të tjera on-line, për të adresuar disa problematika në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.
Palët do të diskutojnë për sistemin e kontrollit prindëror lidhur me përmbajtjet, që dëmtojnë zhvillimin fizik, psikologjik ose moral të fëmijëve si dhe shmangien e publikimit të materialeve me përmbajtje dhune, bullizmi, gjuhe urrejtjeje apo me fjalor të papërshtatshëm. Gjithashtu do të mbahet në vëmendje përshtatja e përdorimit të filtrave të moderimit për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës do të marrin masat e nevojshme për realizimin e ndërprerjes së aksesit. Vetëm pasi të realizohet nga platforma on-line “TikTok” vendosja e filtrave të nevojshëm, mund të vendosen masa të reja ose të rishikohen masat në fuqi, përfundon vendimi. /ekofin.al
