Hyjnë në fuqi dhe janë botuar në Fletoren Zyrtare rregullat e reja për procedurën dhe dhënien e autorizimit të ndarjes së kuotës vjetore të importit të hidrofluorokarboneve dhe/ose pajisjeve të parambushura me hidrofluorokarbone. Këto gaze përdoren kryesisht në qarqet ftohës të frigoriferëve, pajisjet e ajrit të kondicionuar, pompat e nxehtësisë dhe sistemet e mbrojtjes nga zjarri.
Vetëm subjektet e licencuara për importin e këtyre produkteve do të duhet të paraqesin kërkesë për për pajisje me kuotë nga data 1 shtator deri në datën 30 nëntor të çdo viti, për importe që do të kryhen në vitin pasardhës.
Miratimi përgjegjës miraton brenda datës 31 dhjetor ndarjen e kuotës dhe jep autorizimin, i cili është i vlefshëm vetëm për vitin kalendarik të përcaktuar.
Sa është kuota vjetore bazuar në sasinë maksimale të lejuar për vendosjen në treg të hidrofluorokarboneve në Shqipëri dhe si do të ndahet mes sipërmarrësve?

Ndarja do të jetë 80% e kuotës vjetore totale për sipërmarrësit e vjetër të cilët operojnë në treg më shumë se tre vjet; b) 10% e kuotës vjetore totale për sipërmarrësit e rinj, të cilët operojnë në treg më pak se tre vjet; c) 10% e kuotës totale vjetore, si kuotë rezervë.
Në asnjë rast, kuota e plotë e importit nuk i ndahet një sipërmarrësi të vetëm.
Për të përcaktuar kuotën e vitit 2024, 2025, 2026 do të merren në konsideratë importet e kryera gjatë viteve 2020–2022. Ndërsa për të përcaktuar kuotën e vitit 2027, 2028, 2029 do të merren në konsideratë importet e kryera gjatë viteve 2024–2026.
Pajisjet nuk do të vendosen në treg, në rast se gazet HFC, me të cilat ato janë mbushur, nuk janë llogaritur si pjesë e kuotës vjetore, me përjashtim të parashikimeve të caktuara në ligjin “Për gazet serrë të fluoruara”.
Çdo sipërmarrës, i cili është pajisur me kuotë vjetore, mund të transferojë plotësisht apo pjesërisht kuotën e tij në një tjetër sipërmarrës në Shqipëri, i cili përmbush të njëjtat kritere, vetëm pas miratimit të ministrit përgjegjës për mjedisin.
Kërkesa për transferimin e kuotës depozitohet në “e-Albania”, së bashku me marrëveshjen kontraktuale ndërmjet palëve. Kuota që transferohet nuk lejohet të transferohet për herë të dytë. Por kjo pikë do të fillojë të zbatohet 3 vjet nga hyrja në fuqi e vendimit./ekofin.al
