Operatori hungarez i telekomunikacioneve, 4iG PLC njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje përfundimtare për të blerë 80.27% të aksioneve të ALBtelecom.
Kjo është blerja e dytë brenda pak ditësh nga një kompani hungareze në tregun shqiptar, pasi banka OTP bleu degën e Alpha bank në Shqipëri për 55 milionë euro. Në rastin e blerjes së Albtelecom nga 4iG, vlera e transaksionit nuk është bërë e ditur.
Sipas njoftimit zyrtar të 4iG, Albtelecom është operatori lider në Shqipëri i internetit dhe TV me linjë fikse, zotëruesi më i madh i një rrjeti fibër në vend dhe një operator celular me një rrjet të rëndësishëm. Blerja është një tjetër hap i rëndësishëm në strategjinë e zgjerimit të Grupit 4iG në Ballkanin Perëndimor: grupi zgjerohet në një vend tjetër në rajon si një investitor strategjik, duke sjellë shërbimet e tij të telekomunikacionit dhe dixhitale.
Falë transaksionit, Çalik Holding, një nga konglomeratet më të mëdha të Turqisë, do të bëhet një investitor institucional në 4iG. Blerja e shumicës kontrolluese të aksioneve të ALBtelecom pritet të mbyllet në janar 2022, me miratimin e autoriteteve shqiptare, thuhet në njoftim.