Punonjësi i bankës Yongjoon Kim humbi 20 milionë won koreano-jugorë, rreth 14,000 dollarë ose 10,500 paund, në bursën e Koresë së Jugut muajin e kaluar.
Paratë e Kim ishin menduar për ta ndihmuar të blinte një shtëpi, pasi ai do të martohet më vonë këtë vit.
Në vend të kësaj, vlera e investimeve të tij në teknologji ra me rreth 25% gjatë korrikut.
“Do të më dhembë dhe do të më duhet të punoj shumë fort për ta kompensuar këtë humbje”, thotë Kim. “Por për të tjerët që kanë marrë më shumë rrezik, goditja do të jetë edhe më e fortë.”
Shumë prej miqve të tij janë në gjendje edhe më të keqe dhe tashmë ndodhen në një situatë “të dëshpëruar”, pasi kanë “vënë gjithçka” nga kursimet e tyre në treg, thotë ai.
Ndërsa shumë investitorë po dynden drejt aksioneve të kompanive teknologjike, luhatjet e forta të tregut tregojnë se bastet nuk rezultojnë gjithmonë fitimprurëse, pasi çmimet shpesh reagojnë ndaj çdo lajmi të rëndësishëm.
Askund kjo paqëndrueshmëri nuk është më e theksuar sesa te Kospi i Koresë së Jugut, një indeks me peshë të madhe të kompanive teknologjike, i konsideruar gjerësisht si indeksi më i paqëndrueshëm i aksioneve në botë.
Entuziazmi global rreth inteligjencës artificiale ka sjellë luhatje të forta në vlerën e prodhuesve më të mëdhenj koreanë të çipave.
Kospi përjetoi “një nga korrigjimet më të forta” në historinë e tij midis qershorit dhe gushtit, të krahasueshëm me rëniet e regjistruara gjatë pandemisë së Covid-19 dhe krizës financiare aziatike të vitit 1997, thotë Wee Khoon Chong nga kompania e shërbimeve financiare BNY.
Indeksi më shumë se dyfishoi vlerën që nga fillimi i vitit dhe u ngjit mbi 9,000 pikë në mesin e qershorit, përpara se të binte në 5,500 pikë brenda pak javësh. Tashmë ka rikuperuar një pjesë të humbjeve dhe ndodhet rreth 6,800 pikë.
Një nga arsyet kryesore të valës së shitjeve në javët e fundit kanë qenë shqetësimet për shumat e mëdha të parave që po shpenzohen për inteligjencën artificiale, shton Chong.
Rënia ka pasur pasoja të forta për shumë investitorë individualë në vend, të cilët kishin blerë aksione teknologjike gjatë vitit të kaluar.
Për Woongsa Kim, mjafton një shikim në aplikacionin ku ndjek aksionet për t’i kujtuar me dhimbje fitimet që kishte realizuar dhe më pas humbur në bursën koreano-jugore.
Në fillim të vitit, ai përdori rreth gjysmën e një bonusi nga puna për të blerë aksione të gjigantit teknologjik SK Hynix.
Vlera e aksionit u katërfishua, përpara se pjesa më e madhe e këtyre fitimeve të zhdukej. Investimi i tij, i cili tani vlen rreth 300 milionë won, është afërsisht sa gjysma e vlerës që kishte arritur në kulm.
“Vetëm kur e mendoj, më mbushen sytë me lot”, tha Kim për BBC.
Vala e shitjeve erdhi pasi aksionet teknologjike ishin rritur për muaj me radhë, duke “krijuar një eufori ekstreme” që i shtyu disa investitorë individualë të merrnin kredi për të investuar, thotë analisti i investimeve Tobias Reger.
Goditjen më të fortë e kanë ndier ata që përdorën levë financiare, pra investime të financuara përmes huamarrjes në tregjet financiare.
Përdorimi i levës i lejon investitorit të kontrollojë një numër më të madh aksionesh sesa do t’i lejonin paratë e veta, duke sjellë fitim më të madh nëse çmimi i aksioneve rritet.
Por nëse çmimi i aksioneve bie nën një nivel të përcaktuar, mund të shkaktohet ajo që njihet si margin call, kur ndërmjetësi financiar i kërkon investitorit të shlyejë borxhin ose të vendosë fonde shtesë.
Deri në fund të korrikut, rreth 1.2 milionë llogari investitorësh individualë në Korenë e Jugut vlerësohet se ishin përballur me margin calls, ekuivalente me afërsisht një në çdo 30 të rritur në moshë pune në vend.
Tregtimi me levë është një prirje në rritje mes investitorëve individualë dhe është shtuar edhe në tregje si Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara, thotë Frank Benzimra, drejtues i strategjisë për aksionet aziatike në grupin financiar Societe Generale.
Sipas tij, kjo ka rritur rreziqet që lidhen me aksionet e kompanive të lidhura me inteligjencën artificiale.
Rënia “që të përmbys stomakun”
Pasi aksionet e Nvidia-s të listuara në SHBA u rritën me më shumë se 1,000%, Chanyong Park, i cili punon në marketing, thotë se investoi pjesën më të madhe të fitimeve në aksionet e SK Hynix.
Por ky bast shkoi keq, pasi vlera e investimit të tij ra me rreth 10,000 dollarë.
“Këto ishin para që i kisha investuar për të kursyer, pasi planifikoja të largohesha nga puna rreth tetorit dhe të hapja biznesin tim. Por tani po pyes seriozisht veten nëse do të kem para të mjaftueshme.”
Park planifikon t’i mbajë aksionet e tij në SK Hynix me shpresën e një rimëkëmbjeje, edhe pse luhatjet e fundit e kanë bërë më hezitues për të investuar më shumë.
“Nuk duket gjithmonë sikur lëvizjet e tregut drejtohen nga arsye racionale – ndonjëherë të krijohet ende shumë ndjesia e kumarit”, thotë ai.
Një tjetër investitor, Youngji Park, thotë se hyri “me gjithçka”, duke vendosur pjesën më të madhe të parave që kishte në dispozicion në aksionet e Samsung, të cilat në kulmin e tyre arritën një vlerë totale prej 45 milionë won.
Por investimi i tij ka pësuar një rënie “që të turbullon stomakun”, thotë Park.
Edhe ai planifikon t’i mbajë aksionet me shpresën se vlera e tyre do të rritet përsëri.
“Ndihem si budalla që i besova bursës koreane”, thotë ai. “Tani është një lojë afatgjatë. Do të më duhet thjesht të pres.”
Studentja Soomin Yi thotë se bashkoi paratë me një mik për të investuar në SK Hynix, pasi përjetoi FOMO, ose frikën se mos mbetej jashtë një mundësie fitimi.
Por tani ajo do të donte që t’i kishte shitur aksionet e kompanisë kur arritën kulmin prej tre milionë won për aksion në qershor, në vend që t’u besonte spekulimeve se çmimi do të ngjitej në pesë milionë won.
“Nuk kishim realisht askënd përreth me përvojë në investime dhe nuk e studiuam seriozisht investimin përpara se të blinim aksionet”, thotë Yi.
Çfarë do të thotë kjo për pjesën tjetër të botës
Luhatjet e mëdha të aksioneve koreane po ngrenë shqetësime edhe për disa tregje të tjera në botë.
Indekse me peshë të lartë të teknologjisë, si Nikkei 225 i Japonisë, duket se po lëvizin në të njëjtin drejtim me luhatjet e forta të Kospi-t, thotë Benzimra i Societe Generale.
Megjithatë, shumica e bursave botërore ka pak gjasa të përjetojnë lëvizje kaq të dhunshme, pasi përfshijnë një përzierje më të gjerë kompanish, shton ai.
“Nuk besoj se mund të shohim të njëjtin nivel paqëndrueshmërie në tregje të mëdha dhe të diversifikuara si [Tokyo Stock Price Index] ose tregjet amerikane të aksioneve”, thotë Benzimra.
Ndërkohë, investitorët që kanë diversifikuar portofolet thonë se kjo i ka ndihmuar të zbusin goditjen nga rënia e bursës.
“Mendoj se e gjithë kjo histori është një paralajmërim për investitorët koreanë, veçanërisht për të rinjtë, që të mos vendosin gjithçka në një shportë dhe të shpresojnë për më të mirën”, thotë Yongjoon Kim, i cili zotëron gjithashtu aksione në tregjet e huaja.
Ai shton se duhej të kishte ndjekur një qasje më të kujdesshme ndaj investimeve në aksionet teknologjike.
E fejuara e tij, Gaeon Lee, mbetet optimiste se tregu do të rimëkëmbet, pavarësisht se ata kanë humbur një pjesë të kursimeve që kishin lënë mënjanë për shtëpinë e re.
Por ajo shqetësohet për Kim, duke thënë se nevoja e vazhdueshme për të monitoruar investimet ka filluar ta rëndojë.
“Të shihnim kursimet për shtëpinë tonë të goditeshin në bursë ishte padyshim një sinjal zgjimi”, thotë ajo./Përshtati nga BBC, ekofin.al
