Projektligji i ri “Për kinematografinë dhe audiovizualin”, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, synon një reformë të thellë të industrisë filmike në Shqipëri, duke e zhvendosur fokusin nga modeli tradicional i kinematografisë drejt një ekosistemi të plotë audiovizual që përfshin edhe platformat digjitale, serialet, videolojërat dhe prodhimet për OTT. Dokumenti parashikon krijimin e një kuadri të ri fiskal dhe institucional, me objektiv kthimin e Shqipërisë në një destinacion konkurrues për prodhimet ndërkombëtare filmike dhe audiovizuale.
Një nga risitë kryesore të projektligjit është futja për herë të parë në Shqipëri e skemës së “cash rebate”, pra rimbursimit të shpenzimeve për prodhimet audiovizuale të realizuara në territorin shqiptar. Sipas draftit, prodhuesit do të mund të përfitojnë deri në 35% rimbursim për shpenzimet e kualifikuara, përmes një fondi të dedikuar buxhetor. Qeveria argumenton se ky mekanizëm është përdorur gjerësisht në vendet europiane dhe ka rezultuar efektiv në tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e volumit të prodhimeve filmike.
Në relacion theksohet se Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të rajonit si Kroacia, Serbia apo Maqedonia e Veriut, të cilat ofrojnë prej vitesh skema rimbursimi nga 25% deri në 30%, ndërsa Hungaria konsiderohet një nga modelet më të suksesshme në Europë me një sistem shumë efikas incentivash fiskale. Drafti synon të reduktojë këtë hendek konkurrues, duke kombinuar kostot relativisht të ulëta të prodhimit në Shqipëri me incentiva financiare dhe procedura të lehtësuara administrative.
Projektligji parashikon gjithashtu transformimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Agjencinë Kombëtare të Kinematografisë dhe Audiovizualit (AKKA), e cila do të ketë kompetenca më të zgjeruara në hartimin e politikave, financimin e projekteve, certifikimin e shpenzimeve dhe promovimin ndërkombëtar të industrisë shqiptare. Brenda kësaj strukture do të krijohet edhe Komisioni Shqiptar i Filmit (Albanian Film Commission), që do të funksionojë si pikë unike kontakti për producentët vendas dhe të huaj, duke koordinuar lejet, procedurat dhe promovimin e Shqipërisë si destinacion filmik.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me shoqërinë shtetërore “Albafilm” sh.a., e cila do të kalojë nën administrimin e AKKA-së dhe do të rikonceptohet si një “production hub”, pra një qendër e integruar prodhimi dhe shërbimesh për industrinë filmike. Sipas projektligjit, kjo strukturë do të ofrojë mbështetje infrastrukturore, logjistike dhe teknike për prodhimet vendase dhe ndërkombëtare.
Drafti vendos edhe krijimin e Regjistrit Kombëtar të Sektorit Kinematografik dhe Audiovizual, ku do të regjistrohen të gjitha subjektet që operojnë në këtë treg, nga shtëpitë filmike dhe distributorët deri te profesionistët dhe operatorët e shfaqjes. Qeveria argumenton se kjo do të ndihmojë në formalizimin e sektorit dhe krijimin e politikave të bazuara në evidencë.
Relacioni argumenton se efekti ekonomik i reformës nuk lidhet vetëm me industrinë kreative, por edhe me sektorë të tjerë si turizmi, hoteleria, transporti dhe shërbimet. Dokumenti i referohet konceptit të “film-induced tourism”, fenomenit ku destinacionet e përdorura në filma dhe seriale kthehen më pas në atraksione turistike. Sipas qeverisë, diversiteti i peizazheve shqiptare dhe kostot relativisht të ulëta të prodhimit krijojnë potencial që Shqipëria të përfitojë nga kjo prirje globale.
Megjithatë, vetë relacioni pranon se suksesi i reformës do të varet jo vetëm nga incentivat fiskale, por edhe nga funksionimi praktik i strukturave të reja dhe qartësia e ndarjes së kompetencave institucionale. Dokumenti paralajmëron se pa procedura të standardizuara, siguri juridike dhe administrim efikas, avantazhet natyrore të Shqipërisë nuk mjaftojnë për të krijuar një industri konkurruese në rajon. /ekofin.al

