Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shoqëruar sot nga BKH dhe SPAK, pas një aksioni në Bashkinë e Tiranës.
Ndaj kreut të bashkisë Tiranë është caktuar masa ‘arrest me burg’. Veliaj u shoqërua në ambjentet e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë.
Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërkohë që pritet njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Masa për të është caktuar nga gjyqtari Erjon Bani.
Ndërkohë, masa arrest shtëpie është caktuar për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxës. Ndërsa në detyrim paraqitje janë vendosur pesë biznesmenë.
Më herët, kryebashkiaku i Tiranës, është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Si nisi hetimi?
Akuza e SPAK bazohet mbi kallëzimin e personit anonim, Nesti Angoni. Kallëzimi u dërgua me postë në SPAK. Nisur nga kjo u regjistrua dosja në hetim por nuk ishte regjistruar emri i kryebashkiakut si person nën hetim.
Në dhjetor 2024 Kryebashkiaku i Tiranës dëshmoi para agjentëve të BKH-së si person që kishte në lidhje me veprën penale të korrupsionit pasiv, ndërkohë që kishte nisur dhe hetim pasuror. Edhe familjarët e tij janë marrë në pyetje si persona që kanë dijeni.
Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Me vendim të GJKKO kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Ols Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.
