SPAK merr në ‘dorë’ dosjen e Bankers Petroleum. Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Fierit janë evidentuar elementë të korrupsionit dhe grupit të strukturuar kriminal. Bankers akuzohet se i ka shkaktuar miliona euro dëm shtetit për evazion fiskal.
Pasi e mbajti dosjen e Bankers Petroleum për disa muaj duke hetuar, Prokuroria e Fierit ia ka kaluar për kompetencë SPAK.
Prokuroria e Fierit ndërmori aksionin kundër Bankers më 2 Korrik, duke ekzekutuar 10 masa sigurie dhe shpallur në kërkim 4 të huaj. Ngriti 5 akuza në total: Krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në, fshehje e të ardhurave, pastrim i parave, shpërdorim detyre dhe moskryerje e detyrave nga organet tatimore.
Bankers Petroleum akuzohet se krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë. Në këtë mënyrë, për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je
Gjatë aksionit u vunë në pranga CEO kinez i Bankers Petroleum’, Hongping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Cobo, të dy të akuzuar për skemë mashtruese me TVSH-në dhe evazion fiskal. Çobo dyshohet edhe për pastrim parash. Të dy ndodhen në burg.
Më 6 gusht, Apeli la në arrest shtëpie Lianyi Wang, Ardit Keron, Flavia Capon, Kledi Xhanin. Masa e arrestit shtëpiak iu hoq Doina Gogës dhe u la në detyrim paraqitje për shkak të fëmijës 2-vjeçar. Në detyrim paraqitje janë edhe tre të tjerë: Majlinda Thana, Matilda Ibraliu dhe Erton Ademaj.
