Ura e Madhe e Kukësit është hapur sot për qarkullimin e automjeteve, në një ceremoni me praninë e Kryeministrit Edi Rama. Ai e cilësoi urën një vepër mbresëlënëse, e cila çliron përfundimisht qarkullimin e ngërçosur prej vitesh.
“Ky investim i jep një përgjigje kuptimplotë të gjitha gjyqeve që mbushën rrjetet sociale me vrer lajmesh të rreme, ndërkohë që po siguroheshin edhe akseset e komuniteteve përreth”, u shpreh Rama.
“Është shumë e rëndësishme që ura hapet për të gjithë, edhe për ata që çfarë nuk thanë për urën, deri te lajmi nga penxherja që ju këputën këmbët urës. Ndërkohë që kjo nuk ka këmbë sepse e ka trupin të shtrirë përgjatë një hapësire drite, që është ndër më të mëdhatë e një ure në Eruopë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se falë talentit dhe eksperiencës së projektuesit italian, por edhe falë punës së bërë nga kompania, ajo u hap.
“Ura mbaroi, por duheshin plotësuar edhe kushtet për 2 apo 3 komunitete të tjera rreth kësaj zone, të cilave iu duhej dhënë akses që të garantohej lehtësia e transportit për ta”, tha Rama.
Referuar Rrugës së Kombit, Rama tha se nga pikëpamja e trasesë rruga ishte vërtet e hapur, por kishte problematika, ashtu si edhe ajo e hyrjes në Kukës, apo edhe në zonat ku u ndërtuan ato urat e tjera, pra nga pikëpamja e volumeve, garancive dhe standardeve ishte bërë vetëm gjysma e volumit të punës.
Ura e Madhe e Kukësit mbi lumin Drin ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra, një lartësi prej 56 metra.
Ura ka 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës.



