Shtimi i numrit të fluturimeve ajrore ka bërë që të shtohet edhe fluksi i automjeteve duke ngarkuar ndjeshëm aksin rrugor e duke prodhuar në këtë mënyrë trafik të rënduar në Rinas.
Për të ulur trafikun, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për ndërtimin e një rrugë alternative. Tenderi ka vlerë 33.3 milionë lekë dhe parashikon rehabilitimin e rrugës së ish repartit ushtarak për në aeroportin e Rinasit. Rruga ka një gjatësi 6.7 kilometra.
Në një distancë rreth 1280 metrash përpara se të shkosh te rrethrrotullimi i Rinasit, në afërsi të repartit ushtarak, mendohet të ndërtohet një rampë dalëse e cila do të lidhë segmentin rrugor mbikalimi i Kasharit – Aeroporti i Rinasit me rrugën ekzistuese reparti ushtarak – sheshi i parkimit të Aeroportit.
Ndërtimi i kësaj rruge alternative, shkruhet në dokumentet e tenderit, do të lehtësojë sado pak trafikun e rënduar, pasojat e të cilit reflektohen më shumë në rrethrrotullimin e Rinasit.
Korsia hyrëse dhe segmenti rrugor i harkuar do të ndërtohet i ri (me një drejtim lëvizje), ndërsa pjesa e gjurmës ekzistuese do t’i nënshtrohet një rehabilitimi të shtresave asfaltike.