Pas një viti pauze, Klik Ekspo Group rikthehet me Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, por me një slogan që përcjell temën e ditës: “One Balkan, Stronger Balkan”/ “Një Ballkan i vetëm, Ballkan më i fortë”.
Elona Agolli, CEO e Klik Ekspo Group, tha se “lajtmotivi kryesor i këtij edicioni, që mbahet nga data 1 deri më 4 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë, është ky: “One Balkan, Stronger Balkan”/ “Një Ballkan i vetëm, Ballkan më i fortë””.
Agolli u shpreh se, “promovimi i bashkëpunimit rajonal, i unifikimit të tregjeve rajonale, tregje të hapura të cilat funksionojnë mes tyre si enë komunikimi. I qëndrojmë kësaj ideje që një bashkëpunim i fortë ekonomik mes 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, zbeh dhe zhbën rëndësinë e kufijve si koncept gjeografik dhe socio politik”.
“Ç’është e vërteta, vijoi ajo, Klik Ekspo Group ka më se 15 vite që promovon këtë bashkëpunim, edhe në ato vite kur koncepti i Shengenit Ballkanik përmendej si nëpër dhëmbë dhe ishte pothuajse i paimagjinueshëm”.
“Me thënë të drejtën ndihemi pak krenarë pasi ne, me aktivitetet tona kemi shtruar udhën drejt hapjes dhe njëjtësimit të tregjeve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në vitin 2015, në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, slogani dhe e gjithë fushata jonë e komunikimit ishte: “Ballkani, toka e kontrasteve, toka e premtuar. Marshi i sipërmarrësve drejt tokës së premtuar” duke dashur fort në këtë mënyrë të paraqesim përmes Panairit tonë, Ballkanin si një të tërë, si “toka” e mundësive karshi kërkesës se sipërmarrësve evropianë dhe më gjerë, për të investuar në Ballkan!”, tha Agolli.