Nga sot të gjithë fermerët që kanë një NIPT, apo grupe fermerësh, mund të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare e investimeve në bujqësi.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila ka ftuar të gjithë fermerët të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara, të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë.
Ministrja informon se, fermerët kanë mundësi që përmes një fondi prej 1.5 miliardë lekësh të përfitojnë financim në formën e një granti prej 50 % të vlerës së investimit në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.
Ajo ftoi të gjithë fermerët, të cilët kanë një nipt fermeri, shoqëritë tregtare, të cilat janë të angazhuara në këtë sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor, që duke filluar që nga dita e sotme të bëjnë aplikimet e tyre.
Denaj tha se “skema do të jetë përgjatë 5 javëve e hapur për të gjithë përfituesit nga veriu në jug, nga lindja në perëndim dhe për këtë ne do të nisim një komunikim të drejtpërdrejtë intensiv në 12 qarqet e vendit”.
Sipas saj, pikat agro janë aty për të dhënë të gjitha shpjegimet e duhura për të gjithë pyetjet e fermerëve, që janë duke pritur për të përfituar nga Skema Kombëtare, pasi është diskutuar dhe punuar përgjatë gjithë vitit.
Ministrja deklaroi se, “kjo është një skemë kombëtare që vijon skemën e fillimit të vitit, të subvencioneve të drejtpërdrejta dhe kështu kompleton një cikël të mbështetjes financiare, që Qeveria shqiptare ka dhënë dhe jep për një sektor shumë të rëndësishëm, i cili jo vetëm angazhon një numër të konsiderueshëm punonjësish, por mbi të gjitha është një motor i zhvillimit të ekonomisë tuaj familjare, ekonomisë së përgjithshme shqiptare dhe na bën krenarë sot në 80 tregje elitare”.
