Ministria e Financave ka shpallur hapjen e procesit të aplikimeve për përzgjedhjen e trajnerëve të Trajnimit të Vazhdueshëm Profesional për Audituesit e Brendshëm në sektorin publik, për vitin 2026. Njoftimi është publikuar nga Drejtoria e Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm, në zbatim të urdhrit nr.165, datë 31.12.2025, të Ministrit të Financave, që miraton programin vjetor të trajnimit profesional për këtë kategori.
Sipas njoftimit, përzgjedhja e trajnerëve do të kryhet nga Komisioni i Kualifikimit të Audituesve të Brendshëm, i cili përcakton edhe numrin e nevojshëm të trajnerëve, në përputhje me kriteret e miratuara. Procesi synon të sigurojë cilësi të lartë të trajnimit dhe forcim të kapaciteteve profesionale të audituesve të brendshëm që ushtrojnë detyrën në institucionet publike.
Trajnerët ndahen në dy kategori. Kategoria e parë përfshin kandidatë që zotërojnë diplomë “Master i Shkencave” ose “Master i Arteve” (apo të barazvlefshme), me 6 deri në 10 vite përvojë pune në fushën përkatëse, ose diplomë postmaster me të paktën 3 vite përvojë profesionale. Kategoria e dytë përfshin kandidatë me diplomë master dhe mbi 10 vite përvojë pune, ose me gradë apo titull shkencor dhe minimalisht 7 vite përvojë profesionale.
Përveç kërkesave akademike dhe të eksperiencës, kandidatët duhet të plotësojnë edhe kritere shtesë profesionale, si njohuri të mira të standardeve të auditimit të brendshëm në sektorin publik, aftësi për prezantim dhe komunikim efektiv, përdorim të shembujve praktikë gjatë trajnimit, si dhe të kenë të paktën dy vite eksperiencë në mësimdhënie.
Aplikimi kërkon dorëzimin e një dokumentacioni të plotë, i cili përfshin kërkesë me shkrim, CV, vërtetime për eksperiencën profesionale dhe atë në mësimdhënie, kopje të noterizuara të diplomave, si dhe rekomandime që dëshmojnë integritet moral dhe reputacion të mirë. Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë Ministrisë së Financave brenda 15 ditëve kalendarike nga data e shpalljes së njoftimit.
Pas verifikimit paraprak nga Drejtoria e Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm, lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale i përcillet Komisionit të Kualifikimit për vendimmarrje përfundimtare. Kandidatët e përzgjedhur do të lidhin kontrata individuale sipas legjislacionit në fuqi dhe vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave.
Ky proces konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e sistemit të auditimit të brendshëm në sektorin publik dhe në rritjen e profesionalizmit, transparencës dhe llogaridhënies në administratën shtetërore, përmes trajnimit të vazhdueshëm dhe të standardizuar të burimeve njerëzore.
