Edhe pse Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 91/4 se “katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë … mbështetje ekonomike apo sociale”, AZHBR nga kjo e hënë hap thirrjet për aplikimet në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025.
Udhëzimi i përbashkët i ministrit të Bujqësisë dhe atij të Financave, i datës 28 mars 2025, është në shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor dhe lë vend për dyshime se kjo skemë i shërben më shumë fushatës zgjedhore sesa vetë fermerëve.
Sipas publikimit, thirrja do të jetë e vlefshme nga data 14 prill deri më 30 maj. Në total buxheti i parashikuar arrin në 4.4 miliardë lekë. Gjithashtu AZHBR ka njoftuar edhe nisjen e sesioneve informuese për fermerët sesi ata të aplikojnë për njërën nga skemat, sesione që rrezikojnë të kthehen në takime klasike fushate.
Skema përfshin 8 masa mbështetëse: për tufën bazë të matrikulluar të gjedhëve dhe të imtave; mbarështimin e bletarisë; mbështetje për fara, fidanë dhe inpute të tjera; mbështetje për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike, si dhe për fermat organike. Skema përfshin gjithashtu Certifikimin Global GAP, si dhe subvencionimin e naftës për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Masa e financimit vijon për gjedhët deri në 10.000 l/lopë ose mëshqerra, 5.000 l/viçat (Jo më pak se 10 krerë).
Kjo masë vazhdon të jetë një kufi, i cili mbështet ekonominë e shkallës, po duke nxitur bashkimin, që të gjithë fermerët të kenë më pak se 10 krerë kanë mundësi të përfitojnë nga çdo masë e financimit, thuhej në Skemën Kombëtare.
Për bagëtitë e imta vijon po e njëjta masë financimi 1200 l/krerë; për bletarinë 1000 l/koshere;
Për perimet/luleshtrydhen/rrush tavoline në serra masa është 200,000l/ha (jo më pak se 1 ha).
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Skema gjithashtu do të sigurojë rimbursimin e 50% e vlerës totale të faturës tatimore për dëmtuesit biologjikë. Bimët aromatike dhe medicinale mbështeten me 30.000 l/ha (jo më pak se 1 ha), si kriter pranimi.
Fermat organike 100.000 l/viti dhe 200.000 l për çdo fermë të certifikuar, ndërsa certifikimi GLOBAL GAP 50% të vlerës totale të faturës tatimore.
Sa i përket skemës së naftës, fondi total që vihet në dispozicion është gati 50% dhe e përfitojnë më shumë se 50 000 fermerë. Pas aplikimeve, vlerësimet në fund se kush përfiton dhe kush jo i ka AZHBR. /ekofin.al
