Duke nisur nga dita e sotme, deri në 10 gusht janë të hapura aplikimet për thirrjen e dhjetë të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Të gjithë të rinjtë e interesuar mund të aplikojnë në faqen online https://praktika.riniafemijet.gov.al/
Periudha e zhvillimit të praktikës do të jetë në muajt shtator-dhjetor 2025 dhe më tej, për ata të rinj që do të vlerësohen se do të përmbushin kriteret, institucionet shtetërore do të lidhin edhe kontrata punësimi me afat 1-vjeçar.
Sipas vendimit të Qeverisë, kuota maksimale e aplikimit të të rinjve për këtë vit është deri në 600. Sipas vendimit, pas realizimit të praktikës së punës, deri në 250 të rinj mund të përzgjidhen nga institucionet shtetërore për t’u punësuar për një periudhë 1-vjeçare në institucionet publike.
Sipas vendimit të qeverisë, kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët janë: a) Të jetë i ri nga mosha 21 deri në 29 vjeç; b) Të jetë diplomuar në një program studimi të ciklit të parë apo të ciklit të dytë, të ofruar nga një institucion i arsimit të lartë; c) Të mos ketë qenë pjesë e programit në thirrjet e mëparshme; ç) Të mos ketë qenë i punësuar në institucionet e administratës shtetërore apo institucione të tjera publike në të shkuarën, me përjashtim të punësimit si punonjës administrativ, në kuptim të shkronjës “d”, të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.
