Hapen aplikimet online për kredi për studentët me kushte lehtësuese. Studentët që do të aplikojnë për kredi studentore gjatë vitit akademik 2026–2027 do të paguajnë një normë interesi prej vetëm 0,5% në vit, ndërsa pjesa tjetër e interesit do të financohet nga shteti.
Union Bank është banka që do të realizojë këtë vit akademik zbatimin e skemës së Kreditimit Studentor. Sipas ofertës fituese, norma vjetore fikse e kredisë është 5,5%, por 5% do të financohen nga Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL). Në këtë mënyrë, barra reale e interesit për studentin reduktohet në vetëm 0,5% në vit.
Skema synon t’u krijojë studentëve mundësi financimi si për tarifën e studimeve, ashtu edhe për kostot e jetesës gjatë periudhës së shkollimit.
Një element tjetër lehtësues është fakti se kredia studentore jepet pa kolateral fizik. Norma e interesit do të mbetet fikse gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës, çka i mbron përfituesit nga luhatjet e mundshme të interesave gjatë viteve të shlyerjes.
Studentët nuk do të detyrohen të fillojnë pagesën e kredisë gjatë periudhës normale të studimeve. Shlyerja e detyrimeve financiare nis jo më herët se përfundimi i kohëzgjatjes normale të programit ku studenti është regjistruar. Gjithashtu, përfituesit kanë të drejtë ta shlyejnë kredinë edhe përpara afatit.
Aplikimet hapen deri më 4 nëntor
Aplikimet për skemën kanë nisur sot, më 6 tetor dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 4 nëntor 2026.
Procedura kryhet online përmes portalit e-Albania, në shërbimin elektronik “Aplikim për Kredi Studentore”. Studentët duhet të plotësojnë formularin përkatës dhe të ngarkojnë dokumentacionin e kërkuar.
Për shqyrtimin e kërkesave do të merren në konsideratë kriteret e përcaktuara në pikën 7 të VKM-së nr. 440/2023, të ndryshuar. Mes tyre përfshihen vlera e kredisë së kërkuar, lloji i programit të studimit ku është regjistruar aplikanti dhe rezultatet e tij akademike.
Studentët duhet të paraqesin një vërtetim origjinal që dëshmon se janë të regjistruar dhe studiojnë në një institucion të arsimit të lartë, si dhe dokumentacionin që provon rezultatet akademike.
Për studentët që regjistrohen në vitin e parë kërkohet dëftesa e pjekurisë së bashku me listën e notave. Në dokumentacion përfshihet gjithashtu vërtetimi nga institucioni publik i arsimit të lartë se studenti nuk është përfitues i mbështetjes financiare, bursës apo përjashtimit nga tarifa e studimit.
Skema e kreditimit studentor krijon kështu mundësinë që kostot e arsimit të lartë të financohen me një kredi afatgjatë dhe me interes të subvencionuar në masën dërrmuese nga shteti, ndërsa pagesa e detyrimit shtyhet deri pas përfundimit të periudhës normale të studimeve. /ekofin.al
