Vjedhja e automjeteve luksoze mbetet një tendencë e grupeve kriminale. Për periudhën janar-shtator 2024 rezultojnë 88 automjete të raportuara si të vjedhura.
Sipas policisë, nga rastet e denoncuara, vetëm 47 prej tyre janë zbuluar nga policia, me autorë të vjedhjes persona me precedentë të mëparshëm penal. Më problematike janë qarqet e Shkodrës dhe Tiranës, ku janë regjistruar përkatësisht 17 dhe 16 raste, ndërsa Durrësi me 14 raste.
Range Rover rezulton të jetë automjeti më i preferuar për hajdutët apo grupet të cilat kryejnë vjedhje makinash. Ndërsa, sa u përket zonave më të targetuara, janë ato me mungesë ndriccimi ose mungesë kamerash sigurie, apo ku mbulimi me to nuk është i plotë. Megjithatë, nuk mungojnë rastet kur vjedhja kryhet në zona apo lagje të mirë survejuara.
Nga hetimet e policisë një pjesë e këtyre makinave çmontohen dhe shiten për pjesë, ndërsa pjesa tjetër përdoren në ngjarje kriminale. Raste të ngjashme ishin dhe automjetet e përdorura në vrasjet mafioze të regjistruara në Shkodër dhe Tiranë në muajt e fundit.
Megjithëse shënohet një ulje me 19 raste të grabitjes së automjeteve, sipas Policisë ky fenomen mbetet shqetësues duke qenë se ky aktivitet është në rritje nga grupet kriminale.
