Grupi bankar italian Intesa Sanpaolo vijon performancën e mirë financiare. Me publikimin e të dhënave financiare për 9-mujorin, parashikimi i fitimit neto për Intesa Sanpaolo në vitin 2025 e kalon me lehtësi shifrën e 9 miliardë eurove. Ndërkohë, 8,3 miliardë euro do të shpërndahen për aksionarët. Një pjesë e dividentëve, në vlerën e 3,2 miliardë eurove, do të paguhet që në fund të nëntorit.
Intesa Sanpaolo e mbylli nëntëmujorin e parë të vitit me fitim neto prej 7,6 miliardë eurosh, një rritje prej 5,9% krahasuar me 7,2 miliardët e së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
“Për aksionarët tanë, kjo konfirmon një nga shpërblimet më të larta në sektorin bankar evropian,” – deklaroi drejtori ekzekutiv i Intesa Sanpaolo, Carlo Messina, duke komentuar rezultatet e nëntëmujorit të parë. “Falë rezultateve të rëndësishme të arritura gjatë nëntëmujorit të parë të 2025-ës, Intesa Sanpaolo mbetet banka udhëheqëse në Evropë për qëndrueshmëri dhe aftësi për të krijuar vlerë – me një nga kthimet më të larta për aksionarët,” – shtoi ai.
Llogaria ekonomike e konsoliduar e nëntëmujorit të parë të vitit e Intesa Sanpaolo-s regjistron interesa neto prej 11,1 miliardë eurosh, në rënie me 6,8% krahasuar me 11,9 miliardët e të njëjtës periudhë të 2024-ës. Ndërkohë komisionet neto janë 7,3 miliardë euro (+5,1%). Në detaje, vihet re një ulje prej 3,2% të komisioneve nga aktivitetet bankare tregtare dhe një rritje prej 8,6% të atyre nga aktivitetet e menaxhimit, ndërmjetësimit dhe këshillimit, ku përbërësi i ndërmjetësimit dhe emetimit të titujve është rritur me 30,2%, ndërsa ai i produkteve të sigurimit me 4,1% dhe përbërësi i kursimeve të menaxhuara ka rënë me 0,1%.
Rezultati i aktivitetit të sigurimeve arrin në 1,37 miliardë euro, krahasuar me 1,3 miliardët e nëntëmujorit të parë të 2024-ës. Të ardhurat neto operative janë 20,4 miliardë euro, të qëndrueshme krahasuar me 20,439 miliardët e një viti më parë. Kostot operative janë 7,956 miliardë euro, në ulje me 0,4%. Si rezultat, fitimi nga menaxhimi operativ arrin në 12,476 miliardë euro, me një rritje prej 0,2% krahasuar me 12,453 miliardët e nëntëmujorit të parë 2024. /ekofin.al
