Sektori i përpunimit të qumështit në Shqipëri shënoi një përmirësim gjatë vitit 2025, me rritje të sasisë së qumështit të grumbulluar nga subjektet e grumbullimit dhe përpunimit. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në total u grumbulluan rreth 101 mijë tonë qumësht, ose 6.9% më shumë krahasuar me vitin 2024, një zhvillim që u mbështet kryesisht nga rritja e furnizimit me qumësht lope. qumështi-dhe-nënproduktet-e-tij_2025.pdf
Qumështi i lopës mbetet burimi dominues i industrisë së përpunimit, duke përfaqësuar mbi 83% të totalit të qumështit të grumbulluar. Gjatë vitit 2025 u grumbulluan rreth 84 mijë tonë qumësht lope, me një rritje vjetore prej 12.5%. Në të kundërt, grumbullimi i qumështit të deles ra me 21.1%, në rreth 9 mijë tonë, ndërsa ai i dhisë u ul me 4.3%, në rreth 8 mijë tonë. Kjo tregon se zgjerimi i sektorit po mbështetet pothuajse tërësisht nga blegtoria e gjedhit, ndërsa prodhimi nga bagëtitë e imta vazhdon të tkurret.

Nga sasia totale e grumbulluar, rreth 15 mijë tonë u përdorën për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, ndërsa pjesa tjetër u orientua drejt përpunimit në nënprodukte. Në strukturën e qumështit për konsum dominon qumështi i plotë i përpunuar me 88.2% të totalit, i ndjekur nga qumështi gjysmë i skremuar me 7.4%, qumështi i papërpunuar me 4% dhe qumështi i skremuar me vetëm 0.4%. qumështi-dhe-nënproduktet-e-tij_2025.pdf
Edhe industria e nënprodukteve regjistroi ecuri pozitive. Prodhimi i djathit arriti në 10.688 tonë, me një rritje prej 1.9% krahasuar me një vit më parë. Brenda këtij grupi, prodhimi i djathit nga qumështi i lopës u rrit me 9.9%, ndërsa ai nga qumështi i deles u tkurr me 21.8% dhe nga qumështi i dhisë me 1.7%, duke reflektuar të njëjtën tendencë që vihet re edhe tek grumbullimi i lëndës së parë. Pothuajse gjysma e prodhimit përbëhet nga djathi i butë (48.1%), ndërsa 23.1% është djathë gjysmë i fortë, 16.8% produkte të freskëta dhe 12% djathë i fortë. qumështi-dhe-nënproduktet-e-tij_2025.pdf
Prodhimi i gjalpit arriti në 599 tonë, ku 96% përfaqësohet nga gjalpi tradicional dhe vetëm 4% nga gjalpi i shkrirë. Ndërkohë, prodhimi i qumështit për konsum u rrit në 14.509 tonë, nga 12.319 tonë një vit më parë. Në të njëjtën kohë u rrit edhe prodhimi i kosit dhe produkteve të tjera të qumështit të acidifikuar, duke arritur në 14.878 tonë, kundrejt 11.214 tonëve në vitin 2024./ekofin.al

