Të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT, ofrojnë një panoramë të detajuar mbi strukturën, shpërndarjen dhe prirjet e ekonomisë shqiptare dhe në veçanti të bizneseve.
Numri i ndërmarrjeve ekonomikisht aktive në vitin 2024 (pa përfshirë fermerët) arriti në 132.172, me një rritje vjetore prej 1,4%. Rritja shoqërohet edhe me një zgjerim të shtrirjes së biznesit: 1.871 ndërmarrje operonin në më shumë se një vendndodhje, një rritje prej 15% në raport me vitin e kaluar.
Sipas statistikave, 31,4% e ndërmarrjeve janë në pronësi ose drejtohen nga gra. Roli i grave është më i theksuar në sektorët e shërbimeve të tjera (40,9%) dhe tregtisë (33,9%). Megjithëse gratë përbëjnë 46,2% të të punësuarve, ato janë të nënpërfaqësuara në sektorin e ndërtimit, me vetëm 16,1%.
Ndërsa sa i përket strukturës së ndërmarrjeve dominojnë shërbimet dhe mikrobizneset. Shërbimet përbëjnë 86% të ndërmarrjeve, ndërsa vetëm 1,5% janë ndërmarrje të mëdha (50+ të punësuar). Megjithatë, këto të fundit kanë një ndikim disproporcional: ato punësojnë 49,6% të forcës punëtore dhe realizojnë 45,7% të xhiros vjetore. Nga ana tjetër, 85,8% e ndërmarrjeve janë mikro (1–4 të punësuar), të cilat kontribuojnë me vetëm 18,7% të xhiros.
Megjithëse vetëm 14% e ndërmarrjeve janë prodhues të të mirave, ato gjenerojnë 32,9% të xhiros, ku industria përbën 17,3% të punësimit. Ndërkohë, sektori më i përfaqësuar mbetet tregtia, me 19,5% të të punësuarve.
E parë nga këndvështrimi i investitorëve të huaj, ku 5,3% e ndërmarrjeve janë të huaja ose të përbashkëta, Italia dominon me 41,8%, ndjekur nga Kosova (8,3%) dhe Turqia (6,5%). Kjo pasqyron vazhdimësinë e ndikimit të investitorëve rajonalë dhe evropianë në ekonominë shqiptare.
Sipas të dhënave, 66,4% e ndërmarrjeve janë të përqendruara në qarqet Tiranë, Durrës dhe Vlorë, me Tiranën që mban rekordin e 63.212 ndërmarrjeve aktive. Në të kundërt, Kukësi regjistron vetëm 1.393 ndërmarrje. Rajoni qendror (Tiranë + Elbasan) përfaqëson 53,6% të ndërmarrjeve dhe 59,1% të të punësuarve. /ekofin.al
