Autoritetet shëndetësore në Indi janë përballur me një sëmundje misterioze, simptomat e së cilës i ngjajnë shumë lisë së majmunit. Virusi quhet “gripi i domates” ose ethet e domates. Si pasojë, autoritetet u gjendën në një situatë shumë të vështirë, pasi që nga 6 maji në vend tashmë janë konfirmuar zyrtarisht më shumë se 80 raste të infektimit tek fëmijët.
Sëmundja ka një emër të tillë për faktin se pas infeksionit shfaqen flluska me ngjyrë të kuqe. Gripi i domates është i rrezikshëm për fëmijët nën 5 vjeç dhe ashtu si virusi i lisë së majmunit, ethet e domates shkaktojnë simptoma të ngjashme.
Për shembull, ka skuqje të mëdha në pjesë të ndryshme të trupit. Ato janë flluska të rrumbullakëta të kuqe që shkaktojnë jo vetëm dhimbje të forta, por janë edhe shumë ngjitëse. Shenja të tjera të gripit misterioz përfshijnë dhimbje kyçesh, të përziera dhe të vjella, ngërçe në stomak, rrufë, temperaturë të lartë, dhimbje trupi dhe teshtitje të vazhdueshme.
Janë regjistruar disa raste të njollave në gjymtyrë. Sëmundja përbën një kërcënim të madh për fëmijët për faktin se provokon dehidratim. Si rezultat, acarimi i rëndë ndodh në zonën e gojës. Disa ekspertë sugjerojnë se në fakt ethet e domates mund të rezultojnë të jenë një lloj tjetër infeksioni me virusin e këmbëve dhe gojës. Konsiderohet si një dukuri e zakonshme tek fëmijët e vegjël.