Problemi i mbetjeve është veçanërisht kritik në Athinë dhe në zonën më të gjerë të kryeqytetit grek.
Miliarda euro janë shpenzuar për ndërtimin e infrastrukturës së riciklimit në Greqi, ndërsa dhjetëra fushata informimi dhe ndërgjegjësimi janë zhvilluar ndër vite.
Rrugët e qyteteve greke janë plot me kosha që mbledhin çdo lloj materiali: ambalazhe plastike dhe alumini, letër, mbetje ushqimore, këpucë dhe veshje. Në shumë dyqane janë vendosur gjithashtu koshat e veçantë që mbledhin bateri dhe pajisje elektrike për riciklim.
Megjithatë, sipas të dhënave të paraqitura nga Shoqata e Industrive dhe Ndërmarrjeve të Riciklimit dhe Rikuperimit të Energjisë (SEPAN), Greqia vazhdon të groposë rreth 79 për qind të mbetjeve të saj.
Presidentja e Shoqatës, Lena Belsi, thekson se shumica e mbetjeve në Greqi ende përfundojnë në landfill, ndërsa normat e riciklimit mezi arrijnë 17 për qind, një nga nivelet më të ulëta në Evropë.
Arsyeja e parë është mungesa e mekanizmave dekurajues (kryesisht taksa ose gjoba të veçanta) që do të detyronin familjet dhe bizneset të riciklonin më shumë.
“Groposja është zgjidhja më e lehtë dhe më e lirë në Greqi,” thotë Belsi për Euronews.
“Ajo mbetet e lirë sepse tarifa e posaçme e groposjes është ende e ulët në vend, sidomos krahasuar me shtetet e tjera të BE-së. Në vende të tjera, si Italia, tarifa arrin mbi 100 euro për ton, ndërsa në Greqi mbetet vetëm 35 euro për ton. Pikërisht kjo tarifë ka shërbyer si mjet dekurajues në vendet e tjera duke rritur normat e riciklimit.”
Arsyeja e dytë, sipas Belsit, lidhet me mentalitetin e qytetarëve grekë.
“Qytetarët e nxjerrin plehun jashtë shtëpisë dhe mendojnë se ai zhduket. Kanë përshtypjen se mbeturinat shkojnë diku ku nuk i shohin dhe nuk i shqetësojnë, ndaj nuk u kushtojnë rëndësi. Por kjo nuk është e vërtetë – groposja e mbeturinave dëmton ndjeshëm mjedisin.”
Kriza e mbetjeve në kryeqytetin grek
Ndërsa Greqia ngec në përgjithësi në riciklim, problemi është veçanërisht kritik në Athinë dhe në rajonin më të gjerë të Atikës.
“Atika po mbetet shumë pas,” paralajmëron Belsi, duke theksuar nevojën urgjente për ndërtimin e infrastrukturave moderne të rikuperimit të mbetjeve dhe për zhvillimin e ekonomisë rrethore në kryeqytetin grek.
Menaxhimi i mbetjeve në Atikë mbetet një nga problemet më të vjetra dhe më të ndërlikuara të vendit.
Pavarësisht tranzicionit “të gjelbër” dhe synimeve të BE-së për ekonominë rrethore, sistemi bazohet ende kryesisht në groposje.
Landfilli i Filit, që funksionon prej mbi dy dekadash, merr rreth 90 për qind të mbetjeve të Atikës, ndonëse tashmë ka arritur kufijtë e kapacitetit dhe shihet si problem mjedisor dhe shoqëror.
Mungesa e infrastrukturës alternative, së bashku me vonesat në ndërtimin e impianteve të reja të përpunimit, po krijon një ngërç që mund të çojë në krizë menaxhimi në të ardhmen e afërt.
Niveli i riciklimit në Atikë është zhgënjyes — vetëm rreth 15 për qind, shumë poshtë mesatares evropiane.
“Nëse problemi i Atikës nuk zgjidhet, sado përparim të bëhet në pjesën tjetër të vendit, nuk do të mjaftojë për të përmirësuar panoramën e përgjithshme të Greqisë,” shton ajo.
Shembuj të suksesshëm
Ishulli Tilos përbën një nga shembujt më të suksesshëm të tranzicionit të gjelbër në Greqi, pasi ka reduktuar mbetjet pothuajse në zero, përmes programit ‘Just Go Zero’.
Përmes ndarjes në burim, ripërdorimit dhe kompostimit, ishulli riciklon mbi 85 për qind të mbetjeve të tij.
Ekzistojnë edhe disa shembuj të tjerë “net zero”, ende në fazë pilot, si në Antiparos, Alonisos, Paros dhe Naksos, por asnjë nuk ka arritur suksesin e Tilosit.
Megjithatë, raste të veçuara si ky nuk mjaftojnë për të ndryshuar panoramën kombëtare.
Për të rritur normat kombëtare të riciklimit, SEPAN i bën thirrje shtetit grek të thjeshtojë dhe përshpejtojë procedurat e licencimit të punishteve të riciklimit, të forcojë kontrollet mbi zbatimin e detyrimeve nga bizneset dhe të vendosë sanksione më të ashpra ndaj atyre që nuk i respektojnë.
Bashkimi Evropian ka vendosur objektivin që deri në 2030 të riciklohet të paktën 70 për qind e të gjitha mbetjeve./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
